Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 1 korrik 2020

01.07.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 1 korrik 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 38/19; 2. KI 60/19 dhe 3. KI 79/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktgjykim
Lënda: KI 38/19
Parashtrues: Avdi Mujaj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 285/2018], të datës 1 tetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe paragrafin 2 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

1. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata ka gjetur se Aktgjykimi [Rev. nr. 285/2018] i 1 tetorit 2018 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sepse është nxjerrë nga përbërja e një Kolegji, në të cilin në kundërshtim me dispozitat përkatëse të LPK-së dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së e të Gjykatës, kishte marrë pjesë gjyqtari, I.K., i cili gjithashtu ishte pjesë e vendimmarrjes në fazat e mëhershme të çështjes së njëjtë, përkatësisht kishte marrë pjesë si anëtar i Kolegjit në Gjykatën e Qarkut në Pejë kur është vendosur për kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e edhe si kryetar i Kolegjit kur është vendosur për kërkesën e tij për revizion në Gjykatën Supreme. Në rrethana të tilla, Gjykata konstatoi se dyshimet legjitime për mungesën e paanësisë së gjykatës janë objektivisht të justifikueshme.

2. Gjykata Kushtetuese, në rrethanat e rastit konkret, ka trajtuar ekskluzivisht dhe vetëm pretendimin për paanësi të gjykatës për shkak të pjesëmarrjes së gjyqtarit I.K. në të njëjtin proces gjyqësor në dy instanca gjyqësore. Ky Aktgjykim i Gjykatës rrjedhimisht nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat përfundimtare të vendosjes së këtij rasti, pasi që i njëjti të kthehet për rigjykim në Gjykatën Supreme.

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 1 korrik 2020, njëzëri:

VENDOS

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË, se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

III. TA SHPALLË TË PAVLEFSHËM Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 285/2018, të 1 tetorit 2018;

IV. TA KTHEJË çështjen në rishqyrtim në Gjykatën Supreme në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;

V. TA URDHËROJË Gjykatën Supreme, që në pajtim me rregullin 66 (4) të Rregullores së punës, ta njoftojë Gjykatën, jo më vonë se më 30 nëntor 2020, në lidhje me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykate;

VI. TË MBETET fuqimisht e angazhuar në këtë çështje në pritje të pajtueshmërisë me këtë urdhër;

VII. TË URDHËROJË që ky Aktgjykim t’u kumtohet palëve, dhe në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, të publikohet në Gazetën Zyrtare;

2. Aktvendim
Lënda: KI 60/19
Parashtrues: Srđan Stolić

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I.-18-0366-A0001], të datës 24 janar 2019, në lidhje me aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I.-19-0020-A0001], të datës 28 shkurt 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këto aktvendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në kërkesën e dorëzuar parashtruesi nuk ka deklaruar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore pretendon se i janë shkelur me vendimet e kontestuara, por në pretendimet e tij përmend vetëm se atij i është mohuar e drejta e ankesës, e drejtë kjo e garantuar me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Aktvendim
Lënda: KI 79/19
Parashtrues: N.T.P. Arta-Impex

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E. Rev. nr. 7/2019], të datës 2 prill 2019, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. Nr. 222/2018], të datës 4 dhjetor 2018, dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike [I.EK.nr.434/2016], të datës 4 qershor 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenet 113 (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe 21 (4) [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenet 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, me nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.