Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 24 qershor 2020

24.06.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 24 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 163/18 dhe 2. KI 179/18. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktvendim
Lënda: KI 163/18
Parashtrues: Kujtim Lleshi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Prokurorit të Shtetit [KMLC nr. 134/2018], të datës 15 tetor 2018, Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 4737/2017], të datës 3 gusht 2018 dhe të Urdhrit të Përmbaruesit Privat [P. nr. 224/15], të datës 11 tetor 2017, përmes së cilave parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me paragrafin 2 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendonte shkelje të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas dhe të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, duke mos saktësuar se cilat nene të këtyre dy instrumenteve ndërkombëtare, janë cenuar në rastin e tij.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(d), 39 (1) (b) dhe 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

2. Aktvendim
Lënda: KI 179/18
Parashtrues: Belgjyzar Latifi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 189/2018], të datës 13 qershor 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.3228/2013], të datës 22 shkurt 2018 dhe me aktgjykimin e Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë [C. nr. 1726/07], të datës 6 mars 2013. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me këto vendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.