Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-15-0212-A0001, të 22 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI 231/19

Parashtruesit: Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila përfaqëson NSH “Kosova-Export”

Shkarko:

KI231/19, Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila përfaqëson NSH-në „Kosova-Export”, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I-15-0212-A0001 të 22 gushtit 2019

KI231/19, Aktvendim  për papranueshmëri i 26 shkurtit 2020, publikuar më 22 prill 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, e drejta pronësore, masë e përkohshme, qartazi e pabazuar, aktvendim  për papranueshmëri 

Parashtruesi e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, pasi ai konsideroi se vendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së pretendohet se ia ka shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me  nenin 3 paragrafi 1 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], nenin 24 paragrafi 1 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 paragrafi 1 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], nenin 102 paragrafi 3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata që të vendos masë të përkohshme.

Në të vërtetë, Gjykata vëren se esenca e kontestit ka të bëjë me faktin se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori aktgjykim të formës së prerë, me të cilin kishte zgjidhur objektin e çështjes së kontestit për konfirmimin e të drejtave pronësore mbi disa parcela të pronës, të parashtruar nga personi Z. Rr. H. me padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideron se një pjesë e këtyre pretendimeve parashtruesi i kërkesës i ngre në nivelin e ligjshmërisë në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, ndërsa pjesën tjetër të  pretendimeve ai i ngre dhe ndërton në nivel të kushtetutshmërisë në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.

Prandaj, pikërisht për shkak të këtyre konstatimeve, Gjykata e sheh të nevojshme të ndajë pretendimet e parashtruesit të kërkesës në i) pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në nivel të ligjshmërisë në lidhje me shkeljet kushtetuese, si dhe ii) pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në nivel të kushtetutshmërisë në lidhje me shkeljet kushtetuese.

Duke analizuar pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në nivelin e ligjshmërisë, Gjykata përfundoi se nuk kishte gjetur asgjë që do të çonte në konkludimin se gjykatat e rregullta kanë aplikuar dispozitat ligjore përkatëse në mënyrë të gabuar ose arbitrare, duke çuar në përfundimin se nuk ka as  shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në lidhje me pjesën e parë të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.

Në lidhje me pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës në nivelin e kushtetutshmërisë përkitazi me shkeljet kushtetuese, Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, në arsyetimin e aktgjykimit, ka dhënë shpjegime të hollësishme lidhur me të gjitha pretendimet ankimore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së. Nga kjo rrjedh se edhe këto pretendime të parashtruesit të kërkesës  janë të pabazuara.

Gjykata në bazë të analizës, si të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me çështjen e ligjshmërisë, po ashtu dhe pretendimeve që kanë të bëjnë me çështjen e kushtetutshmërisë, nuk ka gjetur se procedurat në Kolegjin e Specializuar të DHPGJS-së dhe Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, ishin në ndonjë mënyrë të padrejta apo arbitrare për ta bindur Gjykatën Kushtetuese që parashtruesit të kërkesës i ishte mohuar ndonjë garanci procedurale, e cila do të cenonte të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës përkatësisht  nenin 6 të KEDNJ-së, dhe rrjedhimisht, Gjykata konstaton se nuk ka as shkelje të neneve të tjera të Kushtetutës dhe KEDNJ-së të cilat parashtruesi i kishte theksuar në kërkesë.

Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit për vendosjen e masës së përkohshme si të pabazuar.

Parashtruesit:

Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila përfaqëson NSH “Kosova-Export”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile