KO197/19, Parashtrues: Gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, Gjykata Themelore në Prishtinë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 42, paragrafit 4 të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat
KO197/19, Aktvendim i miratuar më 22 janar 2020, publikuar më 19 shkurt 2020
Fjalët kyçe: kërkesë institucionale, kontroll incidental, palë e autorizuar
Kjo kërkesë është dorëzuar nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, në bazë të nenit 113.8 të Kushtetutës. Parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 42, paragrafit 4 të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Gjykatat), për të cilin pretendohet se është në kundërshtim me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Thelbi i kërkesës së parashtruesve të kërkesës konsiston në pretendimin se neni 42, paragrafi 4 i Ligjit për Gjykatat, duke përcaktuar që lëndët që bien në kompetencë të Departamentit Special, por për të cilat është mbajtur shqyrtimi fillestar do të vazhdojnë të procedohen në gjykatat përkatëse, rrjedhimisht në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda, ndërsa rastet e natyrës së njëjtë por për të cilat nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor, do të trajtohen në kuadër të Departamentin Special, cenon parimin për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, si pjesë përbërëse e së drejtës për një gjykimit të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës. Andaj, Gjykata fillimisht vlerësoi nëse parashtruesit e kërkesës janë palë e autorizuar për të parashtruar një kërkesë të tillë, respektivisht nëse kërkesa është dorëzuar nga një “gjykatë” siç është përcaktuar në paragrafin 8 të nenit 113 të Kushtetutës. Gjykata konsideroi se kërkesa e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës, në cilësinë e tyre si gjyqtarë të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore, nuk mund te merret si kërkesë e parashtruar nga një “gjykatë” që ka rastin në shqyrtim, siç përcaktohet në nenin 113, paragrafin 8 të Kushtetutës.
Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës nuk janë palë e autorizuar për paraqitjen e kërkesës para Gjykatës dhe, për këtë arsye, kërkesa është e papranueshme.
Gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, Gjykata Themelore në Prishtinë
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Penale