Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr.126/2018, të 4 majit 2018

Nr. të lëndës KI 123/18

Parashtruesit: Limak Kosovo International Airport J. S. C. “Adem Jashari”

Shkarko:

KI123/18, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,  Rev. nr.126/2018, të 4 majit 2018

KI123/18, Aktvendim për Papranueshmëri, i 6 nëntorit 2019, publikuar më 19 dhjetor 2019

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,

Më 12 gusht 2010, parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tre) vite të tjera.

Pas kalimit të kësaj periudhe, respektivisht me datën 3 mars 2014 parashtruesi i kërkesës, e kishte njoftuar punëtorin I.B. se nuk do t’i përtërihet kontrata e punës.

 Punëtori I.B.  kishte parashtruar padi pranë gjykatës së shkallës së parë dhe padia e tij u aprovua. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë gjykatave të rregullta, ku pretendonte se gjykatat e rregullta nuk kishin marrë për bazë nenin 9.18 të Marrëveshjes së PPP-së, sipas së cilës parashtruesi i kërkesës merr për obligim që punëtorët t’i mbajë në punë edhe për 3 (tre) vjet.

Gjatë procedurave pranë gjykatave të rregullta, këto të fundit i kishin sqaruar parashtruesit të kërkesës se meqenëse punëtori I.B. kishte më shumë se dhjetë (10) vite pune,  në bazë të nenit 10.5 të Ligjit të Punës, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohore kështu që edhe për ndërprerjen e kontratës së punës duhet të respektohen procedurat e përcaktuara ligjore, procedura këto që sipas gjykatave të rregullta parashtruesi i kërkesës nuk i kishte respektuar.

Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, si dhe neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës, dhe përsëriti pretendimet e tij si pranë gjykatave të rregullta.

Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 32 dhe 46 të Kushtetutës ai i pretendoi si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Parashtruesit:

Limak Kosovo International Airport J. S. C. “Adem Jashari”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative