Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 179/2018, të 23 gushtit 2018

Nr. të lëndës KI 197/18

Parashtruesit: Ramadan Bislimi

Shkarko:

KI197/18, Parashtrues: Ramadan Bislimi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, PML. nr. 179/2018, të 23 gushtit 2018

KI197/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2019, i publikuar më 9 dhjetor 2019

Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, procedurë penale, qartazi e pabazuar

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës konsideroi se gjatë bastisjes policore është bërë konfiskimi i paligjshëm i sendeve të cilat gjatë procedurës gjyqësore janë përdorur si material provues kundër tij, duke shkelur kështu të drejtën e tij për gjykim të drejtë.

Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës theksoi se gjykatat në aktgjykimet e tyre nuk i arsyetuan me qartësi të mjaftueshme disa çështje të rëndësishme lidhur me fajësinë e tij.

Lidhur me këtë, Gjykata, duke marrë parasysh praktikën e saj gjyqësore, si dhe praktikën e GJEDNJ-së, i shqyrtoi pretendimet konkrete të parashtruesit të kërkesës, si ato që lidhen me çështjen e marrjes së paligjshëm të provave, ashtu edhe pretendimet në lidhje me vendimet e paarsyetuara gjyqësore dhe konkludoi se asgjë në rastin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës nuk tregon se procedura në Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme ishte e padrejtë apo arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se parashtruesit të kërkesës i është mohuar ndonjë garanci procedurale, që do të çonte në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, përkatësisht me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe e deklaroi të papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Ramadan Bislimi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale