Vendim

Vlerësim i kërkesës së parashtruesit për tërheqjen e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.nr.664/2010, të 29 marsit 2011 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Istog, C.nr.96/016, të 15 prillit 2019

Nr. të lëndës KI 82/19

Parashtruesit: Izet Ahmetxhekaj

Shkarko:

KI82/19, Parashtrues: Izet Ahmetxhekaj, Vlerësim i kërkesës për tërheqjen e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.nr.664/2010, të 29 marsit 2011 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Istog, C.nr.96/016, të 15 prillit 2019

KI82/19, Vendim për tërheqje të kërkesës i 7 nëntorit 2019, publikuar më 3 dhjetor 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, tërheqje e kërkesës, kontest pune

 Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë si oficer korrektues nga viti 2001. Ndaj parashtruesit të kërkesës ishin zhvilluar tri (3) procedura:

  1. Procedura penale me të cilën parashtruesi i kërkesës u lirua nga akuza penale, mundësimi i arratisjes së personit të privuar nga liria, sipas nenit 314 në lidhje me nenin 23 të KPPK-së, e cila përfundoi me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [PA1.nr.135/15] të 23 shkurtit 2015;
  2. Procedura në lidhje me shkëputjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës në lidhje me të cilën parashtruesi kontestoi Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [A.nr.664/2010] të 29 mars 2011, që miratoi padinë e Qeverisë së Kosovës dhe anuloi vendimin e KPMK [nr.1409/2010]; dhe
  • Procedura në lidhje me padinë e parashtruesit të kërkesës për kthimin në punë dhe pagimin e të ardhurave personale, në lidhje me të cilën Gjykata Themelore, me Aktvendimin [C.nr.96/016], hodhi poshtë padinë e parashtruesit si të palejuar. Ndaj këtij Aktvendimi parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesi u ankua para Gjykatës në lidhje me procedurën ii) dhe iii) duke pretenduar se atij i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Më 23 gusht 2019, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë kërkesën për tërheqjen e kërkesës KI82/19, duke theksuar se Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AC.nr.2392/19] të 17 korrikut 2019, kishte aprovuar ankesën e tij dhe kishte prishur Aktvendimin [C.nr.96/016], të Gjykatës Themelore. Lidhur me këtë kërkesë, Gjykata theksoi që paragrafi (1) i rregullit 35 të Rregullores së punës, i mundëson parashtruesve të kërkesave që a) para fillimit të seancës dëgjimore, ose b) para marrjes së vendimit nga Gjykata, të tërheqin kërkesën e tyre. Gjykata në bazë të nenit 23 të Ligjit dhe paragrafit (2) të rregullit 35 të Rregullores së punës, vendos për miratimin ose jo të kësaj kërkese.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerësoi se nuk ka ndonjë arsye bindëse për vazhdimin e shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë të aktvendimit të lartcekur, përkundër kërkesës së parashtruesit për tërheqjen e kërkesës së tij. Rrjedhimisht, Gjykata miratoi kërkesën e parashtruesit për tërheqje të kërkesës në pajtim me nenin 23 të Ligjit dhe rregullin 35 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Izet Ahmetxhekaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për tërheqjen e palës nga kërkesa

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Penale, Administrative