Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 123/2019, të 14 majit 2019

Nr. të lëndës KI 110/19

Parashtruesit: Fisnik Baftijari

Shkarko:

KI110/19, Parashtruesi i kërkesës: Fisnik Baftijari, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 123/2019, të 14 majit 2019

KI110/19, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 8 tetor 2019, publikuar më 07 nëntor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 24 [Barazia para Ligjit], 34 [E Drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] të Kushtetutës.

Ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës pretendon se veprës penale uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme i mungon elementi i veprës penale përkatësisht mungesa e uzurpimit arbitrar. Sipas parashtruesit, ai pretendon se pranimi i veprës është bërë nën frikësimin dhe insistimin ndaj të dënuarit edhe nga ana e mbrojtësit të tij, në kundërshtim me etikën profesionale të avokatit, pra është bërë pranimi i fajësisë gjë që ka rezultuar në shkeljen e nenit 30, paragrafi 6 i Kushtetutës. Në fund, ai pretendon se në kuptim të nenit 34 [E Drejta për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta nuk e kanë marrë për bazë Aktvendimin [P. nr. 208/12] të 30 dhjetorit 2014, përmes të cilit është hedhur poshtë padia penale e paditësit subsidiar Bu. M. (tashmë bashkëshorti i ndjerë i palës tjetër në procedurë B. M.).

Në këtë kontekst, përkitazi me pretendimin e parë që ndërlidhet me pretendimet për shkeljen e nenit 30 dhe 31 të Kushtetutës, Gjykata vëren se në rastin e parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta kanë konkluduar duke dhënë arsye të mjaftueshme dhe arsyetimet që edhe kjo Gjykatë nuk i konsideron arbitrare, që pranimi i fajësisë është bërë në suaza të garancive procedurale. Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 24, Gjykata vëren se parashtruesi nuk ka paraqitur ndonjë fakt dhe nuk ka dëshmuar pretendimin për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës. Përfundimisht, pretendimi i parashtruesit që Gjykata nuk e ka marrë për bazë Aktvendimin [P. nr. 208/12] të 30 dhjetorit 2014, përmes të cilit është hedhur poshtë padia penale e paditësit subsidiar Bu. M. (tashmë bashkëshorti i ndjerë i palës tjetër në procedurë B. M.) sipas vlerësimit të Gjykatës nuk qëndron pasi që parashtruesi nuk ka paraqitur ndonjë fakt dhe nuk ka dëshmuar pretendimin për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 34 të Kushtetutës.

Në këto rrethana, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur me prova e as nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm pretendimin e tij në baza kushtetuese për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, specifikisht, për  shkelje të nenit 24, 30, 31 dhe 34 të Kushtetutës, sepse faktet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta i kanë mohuar atij të drejta të garantuara me Kushtetutë.

Rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe si e tillë e papranueshme siç përcaktohet me nenin 113. 7 të Kushtetutës dhe siç specifikohet më tej me kriteret e pranueshmërisë, përkatësisht rregullit 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Fisnik Baftijari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale