Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 63/2018, të 4 qershorit 2018

Nr. të lëndës KI 155/18

Parashtruesit: Benson Buza

Shkarko:

KI155/18, Parashtruesi i kërkesës: Benson Buza, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 63/2018, të 4 qershorit 2018

KI155/18, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 25 shtator 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterje e mjeteve juridike në aspektin substancial, kërkesë e papranueshme.

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës, si dhe të drejtat e garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës pretendoi shkelje (i) të parimit të legalitetit dhe proporcionalitetit në kundërshtim me nenin 33 të Kushtetutës, duke pretenduar se vepra penale për të cilën akuzohej ishte e përcaktuar me ligjin i cili nuk ishte në fuqi në kohën e kryerjes së pretenduar të veprës penale; (ii) të nenit 32 të Kushtetutës, duke pretenduar në esencë se iu kishte pamundësuar kundërshtimi i aktakuzës së ndryshuar; dhe (iii) të nenit 31 të Kushtetutës, duke pretenduar se shqyrtimi gjyqësor duhet të kishte filluar rishtas marrë parasysh që aktakuza sipas pretendimit ishte ndryshuar.

Në këtë kontekst, përkitazi me pretendimin e parë që ndërlidhet me parimin e legalitetit dhe proporcionalitetit të përcaktuar përmes nenit 33 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se Gjykata Themelore në fakt kishte adresuar këtë çështje duke (i) ricilësuar veprën penale për të cilën akuzohej parashtruesi i kërkesës nga ajo e përcaktuar përmes nenit 343 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në vepër penale të përcaktuar përmes nenit 270 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, duke aplikuar kështu ligjin në fuqi dhe më të favorshëm për rrethanat e parashtruesit të kërkesës; dhe (ii) përmes Aktvendimit përkatës kishte kaluar çështjen nga kompetenca e Departamentit të Krimeve të Rënda në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore.

Më tej, Gjykata thekson se dy pretendimet tjera e që para saj ndërlidhen me pretendimet për shkelje të nenit 32 dhe 31 të Kushtetutës, përkatësisht dhe në esencë pamundësinë e përdorimit të mjetit juridik kundër aktakuzës, sipas pretendimit, të ndryshuar dhe kërkesën që procesi gjyqësor duhet të filloj rishtas, ishin adresuar fillimisht përmes Aktvendimit përkatës të Gjykatës Themelore, ndërsa ky i fundit më tej nuk ishte kontestuar as në Gjykatën e Apelit përmes ankesës dhe as në Gjykatën Supreme, përmes kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë. Marrë parasysh rrethanat në të cilat sipas shkresave të lëndës rezulton se këto pretendime specifike të parashtruesit të kërkesës janë ngritur për herë të parë para Gjykatës, ajo konkludon që parashtruesi i kërkesës nuk u ka dhënë mundësinë gjykatave të rregullta, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme, të adresojnë këto pretendime me këtë rast, duke mos e plotësuar për pasojë kriterin kushtetues të shterimit të mjeteve juridike, përtej kuptimin formal edhe në kuptimin përmbajtësor/substancial.

Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të refuzohet si e papranueshme në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Benson Buza

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale