Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, CN. nr. 10/2017, të 13 nëntorit 2017 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.1298/2016, të 21 gushtit 2017

Nr. të lëndës KI 21/18

Parashtruesit: Jakup Siqani

Shkarko:

KI21/18, Parashtrues: Jakup Siqani, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, CN. nr. 10/2017, të 13 nëntorit 2017 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 1298/2016, të 21 gushtit 2017   

KI21/18, Aktvendim për papranueshmëri i 11 shtatorit 2019, publikuar më 22 tetor 2019 

Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, jashtë afatit kohor

Parashtruesi i kërkesës, më 12 mars 2007, në cilësinë e blerësit, lidhi Kontratën për shitblerje me N.SH. “Elektrotehna” me seli në Beograd, në cilësinë e shitësit, përkitazi me një pasuri të paluajtshme e cila ndodhet në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Kontrata). Kjo Kontratë, në të njëjtën ditë, u vërtetua në Gjykatën Komunale në Beograd me shenjën “OV. nr. 4127/0”. Më 2 dhjetor 2013, është nënshkruar edhe një Aneks i Kontratës së lartpërmendur me shenjën “OV. nr. 217987/2013” (në tekstin e mëtejmë: Aneksi i Kontratës). I njëjti ishte vërtetuar nga Gjykata Komunale në Beograd.

Parashtruesi i kërkesës iu drejtua Gjykatës Themelore në Prishtinë me propozimin për njohjen e Kontratës dhe Aneksit përkatës të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Beograd, më 12 mars 2007 dhe 2 dhjetor 2013, respektivisht.

Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Në atë rast, parashtruesi ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata e Apelit. Parashtruesi paraqiti “kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktvendimit” të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e refuzoi këtë kërkesë duke theksuar se “kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktvendimit” nuk paraqet mjet juridik bazuar në ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, respektivisht bazuar në Ligjin për Gjykatat dhe LPK-në.

Parashtruesi i kërkesës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt), 13 (E drejta për zgjidhje efektive) dhe 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata, në fillim të vlerësimit të pranueshmërisë, përcaktoi nëse kërkesa e parashtruesit i përmbush të gjitha kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe me Rregullore të punës. Lidhur me këtë, Gjykata do të duhej të përcaktonte, ndër të tjera, nëse kërkesa e parashtruesit është parashtruar brenda afatit.

Në vlerësimin nëse janë përmbushur kriteret e përcaktuara përmes nenit 49 të Ligjit në lidhje me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, Gjykata vlerësoi nëse kriteri për afatin 4 (katër) mujor i përcaktuar në Ligj dhe Rregullore të punës është respektuar në raport me „vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik”. Më saktësisht, bazuar në praktikën e Gjykatës dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata vlerësoi nëse vendimi i kontestuar, përkatësisht Aktvendimi [CN.nr.10/2017] i 13 nëntorit 2017 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë si rezultat i mjetit juridik efektiv, respektivisht, nëse “kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktvendimit” e ushtruar kundër Aktvendimit [Ac. nr. 1298/2016] të 21 gushtit 2017 të Gjykatës së Apelit, ishte mjet juridik efektiv i përcaktuar me ligj. Gjykata konstatoi që ky nuk është rasti sepse “kërkesa për shqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktvendimit” nuk është mjet juridik i lejuar përmes ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës, dhe se rrjedhimisht, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është vendim i nxjerrë si rezultat i “mjetit të fundit efektiv juridik”. Ky vendim është në fakt, Aktvendimi [Ac.nr.1298/2016] i 21 gushtit 2017 të Gjykatës së Apelit, dhe vlerësimi i kushtetutshmërisë së të cilit, para Gjykatës është jashtë afatit katër (4) mujor të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të Punës.

Në pajtim me të gjitha ato që u thanë, Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk ka mundur të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Jakup Siqani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile