Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të kremtojë jubileun e 10-të të Vitit Gjyqësor me një ceremoni solemne, që do të organizohet në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë, të mërkurën, më 23 tetor 2019.
Ceremonia do të fillojë në orën 17:00 dhe në të do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësuesit e akredituar të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, Gjykata Kushtetuese e Turqisë, Gjykata Kushtetuese e Republikës Çeke, Gjykata Kushtetuese e Portugalisë, Gjykata Kushtetuese e Luksemburgut dhe Gjykata Kushtetuese e Maltës.
Pjesëmarrës në ceremoninë e përvjetorit jubilar të Gjykatës Kushtetuese do të jetë edhe juristja me nam ndërkombëtar dhe njëherësh përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, znj. Grainne McMorrow, si dhe drejtori për çështje ndërkombëtare i Shoqërisë Federale Amerikane për Studime të Ligjit dhe të Politikave Publike, z. Jim Kelly.
Me fjalim rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni do t’i drejtohen kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias, znj. Grainne McMorrow dhe ish-gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Snezhana Botusharova.
Pas ceremonisë solemne, që do të përmbyllet me një koktej rasti për pjesëmarrësit, në shënim të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, të enjten, më 24 tetor 2019, me fillim në orën 10:00, në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” do të mbahet Konferenca ndërkombëtare në temën: “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.