KI118/18, Parashtrues i kërkesës: Eco Construction sh.p.k., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 5706/17, i 15 marsit 2018
KI 133/17, Aktvendim i miratuar më 10 shtator 2019, i publikuar më 21 tetor 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kamatëvonesa, procedurë përmbarimore, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac. nr. 5706/17] të 15 marsit 2018 të Gjykatës së Apelit në lidhje me Urdhrin [P. nr. 698/16] e 11 dhjetorit 2017 të Përmbaruesit Privat, duke pretenduar se Aktvendimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë ndërtimi me një kompani tjetër “Chelsea Point L.L.C” në Zyrën Noteriale përkatëse. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurë përmbarimore kundër “Chelsea Point L.L.C” për shkak të mospërmbushjes së të gjitha detyrimeve kontraktuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës dhe “Chelsea Point L.L.C”, më vonë kishin rënë dakord që të përpilojnë një kontratë të re që specifikonte: (i) se borxhi i papaguar mund të zëvendësohet me paluajtshmëri për kryerjen e punëve shtesë në ndërtimet përkatëse në paluajtshmëritë në fjalë në afatin prej 6 (gjashtë) muajsh nga nënshkrimi i kësaj kontrate; (ii) se me kalimin e paluajtshmërisë në pronësi të parashtruesit të kërkesës, borxhi do të konsiderohej i shuar në tërësi; (iii) procedura përmbarimore, e filluar nga parashtruesi i kërkesës, do të pezullohej me kushtin që të zbatohen të gjitha kushtet e kësaj kontrate; dhe se (iv) kontrata në fjalë paraqet marrëveshjen e tyre të vetme dhe shfuqizon çdo marrëveshje të mëhershme që do të mund të ishte në kundërshtim me dispozitat e kësaj kontrate. Me pretendimin se nuk ishin plotësuar kushtet kontraktuese, parashtruesi i kërkesës hapi një procedurë tjetër përmbarimore kundër “Chelsea Point L.L.C”, duke i propozuar Përmbaruesit Privat që të caktohet ekspertiza për të llogaritur punët e pakryera dhe llogaritjen e kamatëvonesës. Ekspertizat për të llogaritur punët e pakryera ishte caktuar dhe borxhi përkatës ishte shlyer, ndërsa ekspertiza për llogaritjen e kamatëvonesës ishte refuzuar me arsyetimin se kontrata e re e nënshkruar në mes palëve, nuk kishte përcaktuar pagesën e kamatëvonesës. Rrjedhimisht, Përmbaruesi Privat përcaktoi përfundimin e procedurës përmbarimore. Ky qëndrim i Përmbaruesit Privat, më vonë dhe pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit.
Duke u mbështetur në praktikën e GJEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe theksoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin të ndërtuara mbi çështje ligjshmërie dhe vlerësimi i të cilave, në parim, nuk është në juridiksionin e Gjykatës. Kjo e fundit megjithatë theksoi se nga ky parim i përgjithshëm ka përjashtime dhe këto janë të aplikueshme nëse një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës. Gjykata theksoi, se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk kishte argumentuar para Gjykatës që ky të jetë rasti.
Gjykata theksoi se Përmbaruesi Privat dhe Gjykata e Apelit përmes Urdhrit dhe aktvendimit përkatës, kishin theksuar se kamatëvonesa nuk ishte përcaktuar në kontratën e re, dhe si rezultat ishte refuzuar, për më tepër që kushtëzimi i pezullimit të procedurës përmbarimore në kontratën e re ishte përmbushur me realizimin e borxhit për punët e pakryera nga debitorit, siç ishin vlerësuar sipas ekspertizës së urdhëruar nga Përmbaruesi Privat.
Përfundimisht, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Rrjedhimisht, kërkesa në baza kushtetuese, u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Eco Construction sh.p.k.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër