Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad.
Pasi që i shprehu falënderimin për kontributin që Mbretëria e Norvegjisë i ka dhënë Republikës së Kosovës veçanërisht në avancimin e sundimit të ligjit në vend, kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi ambasadorin Sjaastad edhe për ndihmën e ofruar nga qeveria norvegjeze në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Me këtë rast ajo vuri theksin në rëndësinë e projektit të iniciuar në fillim të këtij viti, me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe të ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, që synon avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të zbatimit më efektiv të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun.
Kryetarja Rama-Hajrizi vlerësoi se ky projekt do të forcojë edhe më shumë zbatimin e kushtetutshmërisë dhe do të mundësojë përafrimin më të shpejt të vendit tonë me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.
Në fund, ajo e falënderoi ambasadorin Sjaastad për angazhimin e tij dhe për përkrahjen e ofruar Gjykatës Kushtetuese gjatë shërbimit në Kosovë, duke i uruar suksese të mëtutjeshme në karrierë.
Pasi që e falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen dhe për bashkëpunimin e deritanishëm, ambasadori Sjaastad shprehu bindjen se përkrahja e Norvegjisë për Gjykatën Kushtetuese, por edhe për institucionet e tjera shtetërore të Kosovës, nuk do të mungojë as në të ardhmen.