KI132/18, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH. A. “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 118/2018, të 5 prillit 2018
KI132/18, Aktvendim i 20 qershorit 2019, publikuar më 12 korrik 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,
Parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko-Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tri) vite të tjera.
Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës e kishte lidhur një kontratë të re me punëtoren SH. D., e cila kishte punuar që nga viti 2003 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Parashtruesi i kërkesës, ia kishte ndërprerë kontratën e punës punëtores SH. D. me arsyetimin se i ka përfunduar periudha provuese sipas kontratës së punës.
Gjatë procedurave pranë gjykatave të rregullta, këto të fundit i kishin sqaruar parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, se periudha provuese për një vend të punës me punëdhënësin parashihet kur marrëdhënia e punës themelohet për herë të parë, ndërsa në rastin e të punësuarës SH. D., ajo kishte punuar në të njëjtin vend të punës për rreth 6 (gjashtë) vite. Gjykatat e rregullta, arsyetuan se në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës nuk mund ta përdorë nenin 15 të Ligjit të Punës e as nenin 3 të Kontratës së Punës, për shkëputjen e marrëdhënies së punës të të punësuarës SH. D. Në fund, Gjykata Supreme e Kosovës vlerësoi se është i pranueshëm qëndrimi juridik i gjykatave të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë.
Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, si dhe neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe përsëriti pretendimet e tij pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës i pretendon si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Limak Kosovo International Airport SH. A. “Adem Jashari”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar