Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 290/2018, të 10 shtatorit 2018
Nr. të lëndës KI 14/19
Parashtruesit: Xhemajl Sylejmani
KI14/19, Parashtruesi i kërkesës: Xhemajl Sylejmani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 290/2018, të 10 shtatorit 2018
KI14/19, Aktvendim për papranueshmëri i 28 majit 2019, publikuar më 1 korrik 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Parashtruesi i kërkesës gjatë periudhës prej vitit 2004 deri në vitin 2009, ka qenë i punësuar në Komunën e Vitisë, sipas kontratës për kohë të caktuar e cila është vazhduar disa herë.
Komuna e Vitisë përmes Njoftimit i ofroi parashtruesit të kërkesës një kontratë të re e cila e parashikonte ndërrimin e vendit të tij të mëparshëm të punës në vendin e punës operator – dispeçer në të njëjtën Drejtori me të njëjtin koeficient dhe me lartësi të njëjtë të të ardhurave personale. Me të njëjtin Njoftim parashtruesit të kërkesës i është treguar se mosnënshkrimi i kontratës do të rezultonte me ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Pas kësaj, Komuna e Vitisë përmes Vendimit të saj e ndërpreu marrëdhënien e punës së parashtruesit për faktin se ai nuk e nënshkroi kontratën e re të punës e cila i është ofruar.
Pastaj, parashtruesi i kërkesës inicioi kundër Komunës së Vitisë procedurën administrative, si dhe kontestin administrativ i cili ka kaluar nëpër të gjitha fazat para gjykatave të rregullta. Ky kontest gjyqësor kulmoi me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, e cila e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për revizion dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Parashtruesi e paraqiti për herë të parë kërkesën në Gjykatë në vitin 2013, duke pretenduar se Gjykata Supreme me Aktgjykimin [Rev. nr. 302/2012] të 3 qershorit 2013 i ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me Kushtetutë, dhe atë me nenet 21, 24, 32 dhe 49. Kjo kërkesë është regjistruar me numër KI155/13.
Gjykata në Aktvendimin KI155/13 konkludoi se faktet e paraqitura nga parashtruesi i kërkesës nuk e arsyetojnë në asnjë mënyrë pretendimin për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe se parashtruesi i kërkesës nuk e ka mbështetur mjaftueshëm pretendimin e tij, prandaj, kërkesa KI155/13 është deklaruar e papranueshme.
Pas kësaj, parashtruesi paraqiti në Gjykatën e Apelit propozimin për përsëritjen e procedurës lidhur me lëndën e Gjykatës Komunale në Viti, të cilën Gjykata e shqyrtoi në rastin KI155/13. Ky propozim kulmoi me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit e cila e hodhi poshtë propozimin e parashtruesit të kërkesës për përsëritje të procedurës, ndërsa Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit për revizion dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta, duke refuzuar kërkesën e tij për përsëritje të procedurës, i kanë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 31, nenin 49 dhe nenin 54 të Kushtetutës, pa specifikuar se Gjykata tashmë e kishte trajtuar njëherë këtë rast.
Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit me të cilën ai ankohet lidhur me refuzimin e gjykatave të rregullta për ta përsëritur procedurën, si e tillë është e papajtueshme ratione materiae me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 të Konventës.
Gjykata nuk do të merret me shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak se ai nuk i kishte arsyetuar shkeljet e të drejtave të garantuara me nenet 49 dhe 54 të Kushtetutës.
Prandaj, kërkesa është e papajtueshme ratione materiae dhe duhet të deklarohet e papranueshme.
Xhemajl Sylejmani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës