Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim ish-gjyqtaren e GJEDNJ-së nga Maqedonia e Veriut

27.05.2019

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ish-gjyqtaren e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) nga Maqedonia e Veriut dhe ish-gjyqtaren e Gjykatës Kushtetuese të këtij vendi, znj. Mirjana Lazarova- Trajkovska.

E angazhuar në cilësinë e ekspertes në kuadër të projektit të mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, znj. Lazarova – Trajkovska do të qëndrojë për vizitë pune njëjavore në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim të shkëmbimit të përvojës personale si ish-gjyqtare e GJEDNJ-së dhe për zbatimin e praktikave më të mira të punës nga ky institucion, së bashku me gjyqtarët dhe me këshilltarët e rinj të Gjykatës.

Gjatë bashkëbisedimit me znj. Lazarova–Trajkovska, kryetarja Rama-Hajrizi vuri theksin në konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese duke pasur gjithmonë si udhërrëfyes praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në raportet e shkëlqyera të bashkëpunimit me gjykatat kushtetuese të vendeve të rajonit dhe me ato evropiane, si dhe në përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për avancimin e cilësisë së procesit vendimmarrës të Gjykatës.

Kryetarja Rama-Hajrizi falënderoi në veçanti Zyrën e Këshillit të Evropës për mbështetjen e ofruar Gjykatës Kushtetuese ndër vite nëpërmjet projekteve të ndryshme për ngritje të kapaciteteve profesionale, përfshirë këtu edhe projektin e fundit që filloi së zbatuari në mars të këtij viti, nëpërmjet të të cilit synohet zbatimi më efektiv i standardeve evropiane në trajtimin e ankesave kushtetuese individuale dhe komunikimi më efikas me publikun.