Gjykatën e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina”

22.05.2019

Studentë të vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, vizituan Gjykatën Kushtetuese, të martën, më 21 maj 2019, të cilët në takim i pritën gjyqtari i Gjykatës, z. Bekim Sejdiu dhe këshilltari juridik senior, z. Bardh Bokshi.

Gjatë bashkëbisedimit me studentë, gjyqtari Sejdiu diskutimin e tij e përqendroi kryesisht në rolin që luan Gjykata Kushtetuese në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend dhe në garantimin e funksionimit të organeve shtetërore në harmoni me përgjegjësitë dhe me obligimet e tyre kushtetuese.

Procedurat e zbatuara në shqyrtimin e parashtresave kushtetuese, procesi dhe fazat e shqyrtimit të tyre, përzgjedhja e kolegjeve shqyrtuese të gjyqtarëve dhe mënyra e vendimmarrjes ishin po ashtu temë e prezantimit të gjyqtarit Sejdiu.

Këshilltari Bokshi ndërkaq studentët i njoftoi më hollësisht me disa prej vendimeve më me rëndësi të Gjykatës dhe ndikimin që ato patën në vendosjen e praktikës gjyqësore kushtetuese në vend.

Raporti me gjykatat e rregullta, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga institucionet e tjera, si dhe kriteret për pranueshmërinë e kërkesave të palëve parashtruese, ishin çështjet për të cilat juristët e ardhshëm shprehën interesimin e tyre në vijim të takimit.