KO157/18, Parashtrues: Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 14, paragrafi 1.7, të Ligjit nr. 03/L-179 për Kryqin e Kuq të Republikës së Kosovës
KO157/18, Aktgjykim i miratuar më 13 mars 2019, publikuar më 29 mars 2019
Fjalët kyç: kërkesë institucionale, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 14, paragrafi1.7, të Ligjit për Kryqin e Kuq, kërkesë e pranueshme, papajtueshmëri e nenit 14, paragrafi 1.7, të Ligjit të kontestuar me nenin 24, 46 dhe 119 të Kushtetutës
Kjo kërkesë është dorëzuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 113.8 të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë se nenit 14, paragrafi 1.7, të Ligjit për Kryqin e Kuq, duke ngritur dyshime për papajtueshmërinë e tij me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 46 [Mbrojtja e Pronës], 119 [Marrëdhëniet Ekonomike] dhe 120 [Financat Publike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Thelbi i kërkesës së gjykatës referuese, duke u thirrur edhe në pretendimet e Kompanisë “Illyria” të paraqitura para saj, konsistonte në pretendimin se paragrafi 1.7, i nenit 14 të ligjit të kontestuar, i cili i detyronte kompanitë e sigurimeve në Kosovë për të paguar 1% nga bruto primi i vlerës së sigurimit të automjeteve të siguruara dhe i cili nuk parasheh ndonjë detyrim për kontribut për kompanitë tjera në Kosovë, i vendoste kompanitë e sigurimeve në pozitë të pabarabartë në raport me kompanitë e tjera, në kundërshtim me parimin e vendosur në paragrafin 2, të nenit 119 të Kushtetutës [Parimet e Përgjithshme], ku parashihet që “Republika e Kosovës siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme”.
Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sikurse që janë përcaktuar me Kushtetutë dhe që janë saktësuar më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës së Gjykatës.
Pasi vlerësoi në tërësi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata konsideroi se, ndonëse ligjvënësi nëpërmjet kufizimit të të drejtave kishte për qëllim arritjen e një qëllimi që përkon me interesin e përgjithshëm shoqëror, megjithatë nuk ishte i qartë fakti se pse ligjvënësi nuk e kishte shtrirë dhe shpërndarë detyrimin financiar, të vendosur me dispozitën e ligjit të kontestuar edhe te subjektet e tjera ekonomike, por vetëm të kompanitë e sigurimeve që ofrojnë këtë lloj të sigurimit. Pra, Gjykata vërejti se as Kuvendi dhe as ndonjë instancë tjetër përkatëse nuk kishin paraqitur ndonjë arsyetim të qëndrueshëm se përse ligji i kontestuar i ngarkon me detyrim vetëm kompanitë e sigurimit, për të kontribuar në financimin e Kryqit të Kuq. Gjykata, konsideroi me tej se po qe se pagesa e paraparë me dispozitën e ligjit të kontestuar do të shpërndahej në mënyrë të arsyeshme dhe proporcionale ndaj të gjitha subjekteve ekonomike, kjo do të ishte në pajtim me kërkesat e nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, me pozitën e barabartë në treg të garantuar me nenin 119 të Kushtetutës, si dhe me kërkesat paragrafëve 4 dhe 5, të nenit 55, të Kushtetutës.
Në dritën e shtjellimeve të mësipërme, Gjykata konsideroi se detyrimi vetëm i kompanive të sigurimit për të paguar shumën e caktuar nga të hyrat e realizuara nga sigurimi i autopërgjegjësisë, si kontribut për buxhetin e Kryqit të Kuq, nuk është i justifikuar, gjegjësisht nuk është i bazuar në arsye objektive. Rrjedhimisht, nuk ekziston një qëllim legjitim që do të arsyetonte trajtimin e pabarabartë të kompanive të sigurimit të automjeteve.
Në ndërlidhje me këtë, Gjykata konsideron se si rrjedhojë e trajtimit të pabarabartë të kompanive të sigurimit në raport me kompanitë e tjera në Kosovë, dhe duke pasur parasysh se pagesa nga kompanitë e sigurimeve të 1% të shumës nga bruto primi i autopërgjegjësisë zvogëlon pasurinë e kompanive të sigurimeve, paragrafi 1.7 i nenit 14 të ligjit të kontestuar gjithashtu nuk është në pajtueshmëri me të drejtën e pronës, sipas nenit 46 të Kushtetutës.
Gjykata gjithashtu rikujtoi se gjykata referuese po ashtu kishte ngritur edhe çështjen e pajtueshmërisë së ligjit të kontestuar me nenin 120 [Financat Publike] të Kushtetutës. Mirëpo, duke pasur parasysh se Gjykata gjeti shkelje të nenit 24, 46 dhe 119 të Kushtetutës, ajo nuk e konsideron të nevojshme vlerësimin e pajtueshmërisë së ligjit të kontestuar me nenin 120 të Kushtetutës.
Si përmbledhje, Gjykata konkludoi se paragrafi 1.7, i nenit 14 të ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit], me nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 119
Tjetër