KI22/18, Parashtrues i kërkesës: Enver Pllana, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 225/2017, të 15 nëntorit 2017
KI22/18, Aktvendim për papranueshmëri i 27 shkurtit 2019, publikuar më 26 mars 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullit 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës në dy raste, në vitin 2001 dhe 2005, është përpjekur që me padi në gjykatat e rregullta t’i realizojë të drejtat e tij nga marrëdhënia e punës, duke pretenduar se në procesin e kthimit të punëtorëve në vendet e mëparshme të punës, punëdhënësi në rastin e tij nuk ka vepruar në pajtim me ligjin e zbatueshëm. Gjykatat e rregullta, në të dyja rastet, i refuzuan paditë e parashtruesit të kërkesës për arsye procedurale, respektivisht, në rastin e parë sepse padia nuk është plotësuar dhe precizuar, siç kishte kërkuar Gjykata Themelore nga parashtruesi, dhe në rastin e dytë sepse padia është parashtruar jashtë afatit të paraparë me ligj.
Në kërkesën e tij në Gjykatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar qartë se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë shkelur me aktin e autoritetit publik të cilin ai e konteston pranë Gjykatës, përkatësisht me Aktvendimin e Gjykatës Supreme. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk specifikon saktësisht faktet dhe pretendimet për shkeljen e të drejtave kushtetuese.
Prandaj, në rrethanat e këtij rasti, kërkesa e parashtruesit është në pajtim me kriteret e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenet 47 dhe 49 të Ligjit. Megjithatë, kërkesa e parashtruesit nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë siç është përcaktuar në nenin 48 të Ligjit dhe pikën (d) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata e deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme, sepse ajo nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë, siç parashihet në nenin 48 të Ligjit dhe pikën (d) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Enver Pllana
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative