Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim ambasadorin e ri amerikan Philip Kosnett

10.01.2019

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhmi Rexhepi, pritën në takim njohës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Philip Kosnett.

Pasi që i uroi suksese në detyrën e tij të re, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e njoftoi ambasadorin Kosnett me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat është përballur ky institucion gjatë vitit që shkoi, veçanërisht në aspektin e funksionimit dhe të vendimmarrjes.

Largimi i njëkohshëm i katër gjyqtarëve të gjeneratës së parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe humbja e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje vitin e kaluar, ishin ndër sfidat kryesore të cilat kryetarja Rama-Hajrizi i veçoi në takim. Ajo theksoi se, që nga themelimi në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese tek tani në përbërjen e saj ka vetëm gjyqtarë vendorë, me ç’rast shprehu falënderimin për kontributin dhe për punën e çmuar të gjyqtarëve të larguar ndërkombëtarë.

Në vazhdim të bisedës kryetarja Rama-Hajrizi diskutoi mbi zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, mundësitë e konsolidimit të mëtejmë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe reformat e nevojshme legjislative në funksion të forcimit të sundimit ligjit.

Ajo shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Qeveria e SHBA-së i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera në vend, nëpërmjet projekteve të financuara nga Misioni i USAID-it në Kosovë.

Pasi që falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen, ambasadori Kosnett konfirmoi përkrahjen e tij për pavarësinë në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu zotimin për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, në të gjitha fushat me interes reciprok.