Punëtori mbi Kartën e të drejtave themelore dhe Gjykatën e Drejtësisë të BE-së

14.12.2018

Në vijimësi të organizimit të punëtorive të përbashkëta profesionale, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Kosovës dhe me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), organizuan punëtorinë e radhës, me temë: “Karta e të drejtave themelore të Bashkimit Evropian dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, e cila u mbajt në hotelin “Sirius” në Prishtinë, më 12 dhe 13 dhjetor 2018.

Rëndësia e Kartës së të drejtave themelore për integrimet evropiane, liria e lëvizjes, e drejta e zgjedhjes në zgjedhjet komunale dhe për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, si dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, ishin vetëm disa prej temave që u trajtuan në diskutimin e zhvilluar ndërmjet gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe homologëve të tyre nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Temë e diskutimit mbi të cilat pjesëmarrësit e punëtorisë shkëmbyen pikëpamjet e tyre ishin edhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nga aktet e autoriteteve publike, parimi i proporcionalitetit, si dhe e drejta e peticioneve.

Moderator i punëtorisë ishte Prof. dr. Jan Bergmann, kryetar i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Administrative në Baden-Württemberg të Gjermanisë dhe njëherësh profesor i të Drejtës publike, kushtetuese dhe evropiane në Universitetin e Shtutgartit.