KI53/18, Parashtrues Hajri Ramadani, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 181/2016, të 13 shkurtit 2017
KI53/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 nëntorit 2018, publikuar më 06 dhjetor 2018
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, e paafatshme
Gjykata Supreme e Kosovës, me Aktgjykimin e saj refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Parashtruesi në Gjykatën Kushtetuese në thelb pretendoi se gjykatat e instancave më të ulëta që kanë vepruar në këtë çështje kanë qenë të njëanshme, të ndikuara politikisht dhe nuk kanë vendosur mbi bazën e fakteve të vërtetuara po mbi bazën e supozimeve. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimin e kontestuar e kishte pranuar më 8 dhjetor 2017, por nuk e mbështeti këtë pretendim me ndonjë dëshmi, fletëkthesë ose me ndonjë dokument me shkrim.
Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën Kushtetuese se, pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për ta dorëzuar me postë Aktgjykimin PML. nr. 181/2016, të 13 shkurtit 2017, e ka shpallur në tabelën për shpallje të Gjykatës Themelore dhe të njëjtën e ka mbajtur të shpallur në tabelën për shpallje të Gjykatës Themelore deri më 19 mars 2017.
Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 19 mars 2017.
Gjykata konstatoi se kërkesa është e papranueshme, për shkak se nuk janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës. Kërkesa u shpall e papranueshme si e paafatshme.
Hajri Ramadani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale