Kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani për vizitë pune disaditëshe në SHBA

16.11.2018

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka-Nimani, po qëndrojnë për një vizitë pune disaditëshe në Uashington.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, me ftesë të Shoqërisë Federale Amerikane për Studime të Ligjit dhe të Politikave Publike dhe si pjesë e delegacionit të rrjetit evropian të gjyqtarëve, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani zhvilluan takime me përfaqësues të Departamentit për Drejtësi të Shteteve të Bashkuara dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit përgjegjës për mbikëqyrjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit në shtetet e Evropës juglindore dhe qendrore.

Takime të veçanta delegacioni zhvilloi me z. Wes Mitchell, ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi në Departamentin e Shtetit dhe me zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, z. Matthew Palmer, të mërkurën, më 14 nëntor 2018. Gjatë takimit të përbashkët, të dy zyrtarët e lartë amerikanë i shprehën kryetares Rama-Hajrizi dhe gjyqtares Caka-Nimani mbështetjen e tyre për pavarësinë në punë të Gjykatës Kushtetuese, duke konfirmuar rolin e rëndësishëm të gjykatës në zhvillimin demokratik të Kosovës dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Sipas agjendës, kryetarja Rama-Hajrizi dhe gjyqtarja Caka-Nimani, të mërkurën, më 14 nëntor 2018, u takuan edhe me znj. Fiona Hill, asistente e Presidentit të SHBA-së dhe drejtoreshë e seksionit për çështjet evropiane dhe ruse në kuadër të Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Ato qëndruan për vizitë edhe në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara, ku u pritën në takim nga gjyqtari i kësaj Gjykate, z. Samuel Alito.