KI19/18, Parashtrues i kërkesës: Fatmir Syla, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 237/2017, të 9 nëntorit 2017
KI19/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2018, i publikuar më 18 qershor 2018
Fjalët kyç: kërkesë individuale, inkompetent, padi, kompensim material
Më 10 shkurt 2017, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kundër Qeverisë së Republikës së Serbisë për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, i cili i është shkaktuar në periudhën ndërmjet 10 prillit 1999 dhe 12 qershorit 1999.
Më 14 shkurt 2017, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit (N. nr. 37/2017) është shpallur inkompetente në pikëpamje territoriale në pikën e parë të dispozitivit dhe në pikën e dytë të dispozitivit e udhëzoi palën që të paraqesë padinë në gjykatën kompetente në Republikën e Serbisë.
Më 26 qershor 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit (Ac. nr. 2041/17) vërtetoi pikën e parë të dispozitivit të Gjykatës Themelore me të cilën ajo është shpallur inkompetente në pikëpamje territoriale dhe e ndryshoi pikën e dytë të dispozitivit në atë mënyrë që e hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës.
Më 9 nëntor 2017, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit (Rev. nr. 237/2017) refuzoi revizionin e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Gjykata Supreme në vendimin e saj arsyetoi se në rastin konkret bëhet fjalë për kontestin juridiko-pasuror në shtetin e huaj, dhe vlejnë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, për të cilin kontest gjykata e vendit nuk është kompetente për të vendosur.
Gjykata Supreme më tej precizoi se në rastin e parashtruesit të kërkesës “… kompetenca e gjykatave tona në kontestet me element ndërkombëtar (të huaj) nuk mund të zbatohet në rastin konkret, nga se, këtu nuk kemi të bëjmë as me persona fizik të huaj, e as me persona juridik të huaj, por me shtet të huaj, me të cilin deri në momentin aktual shteti i Kosovës në territorin e së cilës është shkaktuar dëmi, nuk ka lidhur kurrfarë marrëveshje ndërkombëtare (bilaterale, etj.) për kompetencën e gjykatave vendore për këto lloje të kontesteve.”
Si përmbledhje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, nenin 6 të KEDNJ-së ose nenin 15 të DUDNJ-së.
Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 36 (1) (d) dhe (2) (d) të Rregullores së punës.
Fatmir Syla
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile