KI40/18, Parashtrues, Hysen Idrizi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 271/2017, të 11 janarit 2018
KI40/18, Aktvendim për papranueshmëri i 28 majit 2018, publikuar më 12 qershor 2018
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, ndërprerja e punësimit, legjitimiteti pasiv, kërkesë qartazi e pabazuar
Në vitin 1991, parashtruesi parashtroi padi në Gjykatën Themelore të Punës së Bashkuar në Prishtinë për anulimin e Vendimit të N. P. “Elektroekonomia” për kompensimin e pagave për periudhën prej 20 korrikut 1991 deri më 15 korrik 1999. Gjykata Themelore e Prishtinës, me Aktgjykimin Cl. nr. 103/2004, e hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave, meqë konstatoi se Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte legjitimitet pasiv lidhur me kërkesën e parashtruesit për kompensimin e pagave për periudhën e sipërpërmendur, pasi nuk ishte pasardhëse e N.P. “Elektroekonomia”. Gjetjet e Gjykatës Themelore ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës pretendon në Gjykatën Kushtetuese se Gjykata Supreme (Aktgjykimi Rev. nr. 271/2017) ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës, nenet 13 (E Drejta për Zgjidhje Efektive) dhe 14 (Ndalimi i Diskriminimit) të KEDNJ, nenin 23 (1) të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dhe nenet 1, 2, 3 dhe 4 të Konventës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Parashtruesi pretendoi se KEK-u është pasuesi i padiskutueshëm ligjor i N.P. “Elektroekonomia” dhe ka legjitimitet të plotë pasiv bazuar në faktin se pas vitit 1999 ai ishte kthyer në punë në KEK pa një konkurs të bazuar në vazhdimin e marrëdhënies së punës nga statusi i mëparshëm i punësimit. Nga ana tjetër, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se KEK-u nuk e kishte legjitimitetin në fjalë në rastin konkret sepse KEK nuk e largoi paditësin nga puna dhe, prandaj, nuk është pjesëmarrës i marrëdhënies materiale-juridike nga e cila ka lindur mosmarrëveshja.
Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se të gjitha argumentet e parashtruesit të kërkesës, të cilat ishin relevante për përcaktimin në lidhje me legjitimitetin pasiv të KEK-ut në rastin konkret, ishin dëgjuar dhe shqyrtuar si duhet nga gjykatat. Gjykatat e rregullta gjithashtu paraqitën të gjitha arsyet materiale dhe ligjore lidhur me vendimin e kontestuar. Prandaj, Gjykata konkludon se procedurat në Gjykatën Supreme, të shikuara në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Prandaj, Gjykata e deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi pabazuar në baza kushtetuese në pajtim me nenin 113 (1) dhe (7) të Kushtetutës, nenet 48 të Ligjit dhe rregullat 36 (1) (d) dhe 36 (2) (d) të Rregullores së punës.
Hysen Idrizi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile