KI144/17, Parashtrues i kërkesës: Feti Islami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 194/2017, të 11 tetorit 2017
KI 144/17, Aktvendim për papranueshmëri i 23 marsit 2018, i publikuar më 7 maj 2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, ratione materiae, çështje e gjykuar, e pabazuar
Parashtruesi paraqet kërkesën për herë të tretë në Gjykatën Kushtetuese.
Më 25 janar 2011, Gjykata Kushtetuese me Aktvendimin për papranueshmëri refuzoi kërkesën KI11/10 si të papranueshme. Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur kërkesën pas kalimit të afatit 4 mujor, të paraparë me nenin 49 të Ligjit.
Më 13 mars 2014, Gjykata Kushtetuese me Aktvendimin për papranueshmëri refuzoi kërkesën KI205/13 si qartazi të pabazuar.
Në procedurën e re, parashtruesi kërkoi përsëritjen e procedurës së përfunduar me Aktgjykimin [C. nr. 195/05] e Gjykatës Komunale në Pejë, të 26 majit 2006.
Më 11 tetor 2017, Gjykata Supreme me Aktvendimin [Rev. nr. 194/2017] refuzoi, si të pabazuar, kërkesën për përsëritje të procedurës së përfunduar me Aktgjykimin [C. nr. 195/05] të Gjykatës Komunale në Pejë, të 26 majit 2006.
Parashtruesi konsideroi “se gjyqtarët nuk e lejuan shqyrtimin e rastit në mënyrë transparente, se vendimet janë të njëanshme, të marra në seanca jashtëgjyqësore”.
Gjykata konkludoi se parashtruesi në thelb përsërit pretendimet e paraqitura edhe në dy kërkesat e mëparshme që ai i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, e të cilat kanë të bëjnë me 1) vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike me rastin e eksproprijimit të pronës dhe 2) anulimin e kundërligjshëm [Aktgjykimi C. nr. 54/01, i 30 marsit 2001] të Gjykatës Komunale në Pejë. Gjykata konkludoi se këto pretendime janë gjykuar në pajtim me nenin 116 të Kushtetutës, dhe për këtë arsye Gjykata konstaton se të njëjtat duhet të hidhen poshtë me procedurë të shkurtë në pajtim me rregullin 32 paragrafi (5), pasi që këto pretendime paraqesin përsëritje të kërkesës së mëparshme të vendosur nga Gjykata.
Gjykata konsideron se ankesat e parashtruesit kundër refuzimit të gjykatave të rregullta që të përsërisin procedurën kontestimore dhe “të lejojnë shqyrtimin e rastit në mënyrë transparente“ në një seancë publike, si të tilla, janë të papajtueshme ratione materiae me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 paragrafi 1 të Konventës.
Gjykata thekson se pajtueshmëria ratione materiae e kërkesës me Kushtetutën rrjedh nga juridiksioni material i Gjykatës. E drejta në të cilën thirret parashtruesi i kërkesës duhet të mbrohet me Kushtetutë, në mënyrë që një ankesë kushtetuese të jetë në pajtim ratione matriae me Kushtetutën. Megjithatë, Gjykata nuk i garanton parashtruesit të kërkesës të drejtën për rihapje ose përsëritje të procedurës.
Feti Islami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor
Civile