Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 181/2017, të 18 shtatorit 2017

Nr. të lëndës KI11/18

Parashtruesit: Oda Ekonomike e Kosovës

Shkarko:

KI11/18, Parashtrues i kërkesës: Oda Ekonomike e Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 181/2017, të 18 shtatorit 2017

KI11/18, Vendim për papranueshmëri i datës 2 mars 2018, publikuar më 20 prill 2018

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, ndërprerje e marrëdhënies së punës, revizion, kërkesë qartazi e pabazuar 

Marrëdhënia e punës e personit H.D. me parashtruesin e kërkesës kishte zgjatur 33 vjet. Në vitin 2009, parashtruesi i kërkesës dhe paditësja lidhën kontratë të re pune për një periudhë të caktuar prej 12 (dymbëdhjetë) muajsh, pas së cilës personi H.D. u informua për mosvazhdimin e kontratës së punës. Pasi shteroi procedurat e brendshme të parashtruesit të kërkesës, personi H.D. parashtroi një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me të cilën kërkoi anulimin e vendimeve të parashtruesit të kërkesës për mosvazhdimin e kontratës së saj të punës. Gjykata Themelore e hodhi poshtë padinë e personit H.D. si të pabazuar. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit (Ae. nr. 1674/2014), paditësja parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit Rev. nr. 181/2017, e pranoi revizionin e paditëses si të bazuar dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 1674/2014 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, C. nr. 3070/2013, duke anuluar aktvendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me mosvazhdimin e kontratës së punës të paditëses dhe detyroi parashtruesin e kërkesës që paditësen ta kthejë në punë.

Parashtruesi i kërkesës kontestonte përpara Gjykatës Kushtetuese aktgjykimin e mësipërm të Gjykatës Supreme dhe pretendonte se Gjykata Supreme i kishte shkelur të drejtën për gjykim të drejtë, sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtën për t’u ankuar, sipas paragrafi 5 të nenit 102 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese konsideroi se faktet e paraqitura nga parashtruesi i kërkesës në asnjë mënyrë nuk e arsyetonin shkeljen e pretenduar të të drejtave kushtetuese në të cilat ai thirret dhe se ai nuk e ka dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullat 36 (1) (d) dhe (2) (b) dhe (d) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, kërkesa ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhej të deklarohej e papranueshme.

Parashtruesit:

Oda Ekonomike e Kosovës

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile