KI76/17, Parashtruesit e kërkesës: Nysret Fana dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. A. nr. 6/2017, të 28 marsit 2017
KI76/17, Aktvendim për papranueshmëri i 1 marsit 2018, i publikuar më 19 prill 2018.
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, procedurë administrative, qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121, dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Parashtruesit e kërkesës ishin punonjës të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), e cila gjatë vitit 2011, ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës. Parashtruesit e kërkesës për shkak të këtij vendimi paraqitën ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), i cili e urdhëroi AUVK t’i kthejë parashtruesit e kërkesës në vendet e tyre të punës, ndërsa AUVK e bëri këtë vetëm përkohësisht.
Parashtruesit e kërkesës pastaj iniciuan procedurën para gjykatave të rregullta, e cila përfundoi me Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, në të cilin kërkesa për revizion të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit refuzohet si e palejuar, me arsyetim „se kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës kompetente për çështje administrative të shkallës së dytë nuk mund të ushtrohet revizion, kështu që kjo gjykatë kërkesën për revizion të paditësit e hodhi si të palejuar”. Parashtruesit konsiderojnë se me këtë vendim të Gjykatës Supreme shkelet neni 49 i Kushtetutës.
Gjykata konsideron se asgjë në rastin e prezantuar nga parashtruesit nuk tregon se procedurat në gjykatat e rregullta ishin të padrejta apo arbitrare në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të jetë e bindur se atyre u janë mohuar të drejtat e garantuara me nenin 49 të Kushtetutës.
Nysret Fana dhe të tjerët
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 49 - E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile