Një grup nxënësish të përzgjedhur nga shkollat fillore në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës, vizituan Gjykatën Kushtetuese, të martën, më 10 prill 2018.
Nxënësit u mirëpritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Arta Rama-Hajrizi, e cila fillimisht u bëri një prezantim të shkurtër mbi historikun e hartimit të Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë që ka ky dokument për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut në vend.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim i njoftoi nxënësit edhe me funksionin që ka dhe me punën që bën Gjykata Kushtetuese, me përbërjen e saj dhe me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve, si dhe me rolin aktiv që ka kjo Gjykatë në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend.
Në përmbyllje të takimit, kryetarja Rama-Hajrizi u dhuroi nxënësve edhe nga një kopje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me urimin që duke e ruajtur dhe duke e respektuar atë, të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë.
Vizita e nxënësve u realizua nën organizimin e përbashkët të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Programit për Transformim të Lidershipit (TLP) të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), me rastin e shënimit të 10-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës.