Studentë të Fakultetit Juridik vizitojnë Gjykatën

05.04.2018

Një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, vizitoi Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të mërkurën, më 4 prill 2018.

Studentët u pritën në takim nga këshilltari i parë juridik i Gjykatës Kushtetuese, z. Sevdail Kastrati, dhe këshilltarja e re juridike, znj. Anita Çavdarbasha.

Në takim, këshilltari Kastrati i njohu studentët me mënyrën e funksionimit dhe me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese në kuadër të sistemit shtetëror të Kosovës, me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës dhe me procesin e vendimmarrjes. Një sqarim më të hollësishëm ai i bëri edhe zbatimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në sistemin kushtetues të Kosovës, si dhe palëve të autorizuara për parashtrimin e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, këshilltarja Çavdarbasha njoftoi studentët me fazat e procedimit dhe të shqyrtimit të kërkesave të parashtruara, duke ofruar njëherësh informata të përgjithshme statistikore përkitazi me numrin e kërkesave të shqyrtuara dhe përkatësinë etnike të parashtruesve.

Studentët shprehën interesimin e tyre që të informohen edhe për raportin e Gjykatës Kushtetuese me gjykatat e niveleve të tjera në vend, për kriteret e pranueshmërisë së kërkesave, si dhe për afatet kohore për shqyrtimin e tyre.