Parashtruesit e kërkesës kanë parashtruar një kërkesë në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke kontestuar aktgjykimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nr. SCEL-06-0016, të datës 10 tetor 2006, si dhe vendimin nr. SCEL 06-016 të datës 31 janar 2007, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të prishë aktgjykimin dhe vendimin, sepse mënyra e shpalljes në gazetat ditore që botohen në gjuhën serbe nuk ka qenë në përputhje me nenin 5 të Kushtetutës. Duke theksuar që nuk kanë mundur të informohen në gjuhën serbe, pasi që gazetat ditore Danas dhe Blic që shpërndahen në Republikën e Kosovës, nuk ekzistojnë në territorin e Komunës së Kllokotit. Për shkak të këtyre arsyeve, nuk kanë arritur që më kohë të paraqiten dhe të regjistrojnë të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës si dhe të përfshihen në listën e punëtorëve përkatës që përmbushin kushtet për të fituar 20% të aksioneve nga të ardhurat e realizuara me privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.
Parashtruesit kundërshtojnë aktgjykimin e e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nr. SCEL-06-0016, të datës 10 tetor 2006, si dhe vendimin nr. SCEL 06-016 të datës 31 janar 2007. Gjykata ka ardhur tek përfundimi që kërkesa ka të bëjë me ngjarjet para 15 qershorit të vitit 2008, gjegjësisht datës kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në bazë të kësaj, kërkesa është e pasafatshme, si dhe për këtë, nuk është në përputhje “ratione temporis” me dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjit. Për këto arsye, Gjykata ka vendosur që kërkesa është e papranueshme në pajtim me Rregullin 36. (3h) të Rregullores së Punës.
Mendime mospajtuese ndaj këtij vendimi kanë paraqitur gjyqtarët Ivan Čukalović dhe Altay Suroyi, të cilët konsiderojnë që bëhet fjalë për një shkelje të vazhdueshme të të drejtave për përdorim të gjuhës, për të cilën arsye parashtruesit e kërkesës nuk kanë pasur mundësi që të shfrytëzojnë mjetin juridik brenda afatit.
Gjyqtarët Kushtetues Ivan Čukalović dhe Altay Suroyi theksojnë që nuk qëndrojnë pretendimet që rasti është i papranueshëm si ratione temporis, për shkak se refuzimi që punëtorët të përfshihen në listë është bërë më 15 prill 2010, derisa vendimi i AKP-së ndaj ankesës së punëtorëve është marrë më 29 tetor 2010, derisa Kushtetuta ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008.
Gjithashtu, gjyqtarët paraqesin qëndrimin e tyre që parashtruesve të kërkesës iu janë shkelur të drejtat e përdorimit të gjuhës sipas nenit 5, paragrafi 1:
“1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.”
Si dhe neni 58, paragrafi 2:
“Republika e Kosovës do të promovoj frymën e tolerancës, dialogut dhe do të mbështesë pajtimin ndërmjet komuniteteve dhe do të respektoj standardet e përcaktuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave.”
Në bazë të këtyre, rrjedh që parashtruesit e kërkesës, për shkak të shkeljes së vazhdueshme të së drejtës për përdorim të gjuhës, e kanë pasur të pamundur jo vetëm që të informohen për t’u paraqitur në konkursin për përfshirje në listë, por edhe që të informohen për të drejtat e shfrytëzimit të mjeteve juridike.
Në bazë të këtyre, gjyqtarët konsiderojnë që parashtruesve të kërkesës iu janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 5, si dhe neni 58, paragrafi 2, gjë që më tutje ka prodhuar shkeljen e neneve 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në bazë të argumenteve të parashtruara me të drejtë, gjyqtarët konsiderojnë që kërkesa e punëtorëve të Njësisë Punuese Stacionar (Qendra për Shërim dhe Rehabilitim) është e pranueshme.
Nebojša Stanojević, Dragan Marinković
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione temporis jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile