Parashtruesi e kishte dorëzuar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, duke pretenduar se Gjykata e Qarkut në Prishtinë, duke ia hedhur poshtë kërkesën për përsëritje të procedurës, ia kishte shkelur të drejtat e tij Kushtetuese te garantuara me Nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], Nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], Nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], Nenin 54 [E Drejta për Mbrojtje Gjyqësore], si dhe Nenin 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë rast Gjykata, i është referuar nenin 48 qe përcakton se “parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar. Gjithashtu, ishte thirrur në rregullin 36 i Rregullores së punës që përcakton se “Gjykata do të refuzojë një kërkesë si qartazi të pabazuar nëse bindet se: b) faktet e paraqitura në asnjë mënyrë nuk e arsyetojnë pretendimin për shkeljen e një të drejte kushtetuese, ose d) kur parashtruesi nuk dëshmon në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata konstatoi se, parashtruesi nuk i kishte mbështetur pretendimet e tij në baza kushtetuese, duke treguar pse dhe si Gjykata e Qarkut ia ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane dhe nuk ka ofruar prova që të drejtat dhe liritë e tij janë shkelur nga Gjykata e Qarkut. Prandaj, Gjykata Kushtetuese nuk ka mundur te gjej pse dhe si procedurat përkatëse në Gjykatën e Qarkut ishin në ndonjë mënyrë të padrejta apo arbitrare dhe për këtë fakt Gjykata ka përmendur rastin Shub kundër Lituanisë, Vendimi i GJEDNJ-së për Pranueshmëri të Kërkesës, Nr. 17064/06 i 30 qershorit 2009. Si përfundim Gjykata gjen se kërkesa nuk i përmbushte kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe të rregullit 36.2 (b) dhe (d) të Rregullores së punës, prandaj, si e tillë, kërkesa është konsideruar si qartazi e pabazuar.
Nexhat Shala
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile