Njoftim për medie

20.10.2017

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja, znj. Arta Rama-Hajrizi, qëndroi për vizitë zyrtare në Tiranë, të premten, më 20 tetor 2017.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u ftua për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të kremtimit të përvjetorit të 25-të të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, si dhe në Konferencën ndërkombëtare që u organizua me këtë rast, me temë: “Evropianizimi i të drejtës kushtetuese dhe konstitucionalizimi i të drejtës evropiane – sfidat e së ardhmes”.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, ishte një ndër folësit kryesorë të Konferencës, me ç’rast mbajti një prezantim në temën “Evropianizimi i të drejtës kushtetuese të Kosovës: Baza ligjore dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetarja Rama-Hajrizi u takua edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, ku temë diskutimi, ndër të tjera, ishte zhvillimi i projekteve të përbashkëta dhe avancimi i bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy gjykatave homologe.