Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës dhe me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), organizuan punëtorinë në temën: “E drejta për vendim të arsyetuar – Elementet dhe kërkesat kryesore të saj/Jurisprudenca, pikëpamjet dhe perspektivat e Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës Kushtetuese”, e cila u mbajt në Selanik, më 3 dhe 4 tetor 2017.
Në punëtori morën pjesë gjyqtarë dhe këshilltarë juridikë nga të dy gjykatat, të cilët ndërmjet tjerash diskutuan dhe shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, për vendimmarrjen brenda afatit të arsyeshëm, si dhe për zbatimin e dispozitave të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e në veçanti të nenit 6 të kësaj Konvente.
Temë e diskutimit ishte edhe ndikimi i aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në legjislacionin dhe në praktikën gjyqësore të Kosovës.
Ndër folësit kryesorë në punëtori ishin edhe ish-kryetari i Gjykatës Federale Administrative në Leipzig, Dr. Otto Mallmann, si dhe Prof. dr. Michaela Wittinger, profesoreshë e të Drejtës kushtetuese dhe e të Drejtës evropiane në Universitetin Federal të Shkencave të Aplikuara Administrative në Brühl të Gjermanisë, të cilët gjatë prezantimit të tyre ofruan një pasqyrë të përgjithshme rreth praktikës gjyqësore gjermane për të drejtën për vendim të arsyetuar dhe zbatimit të nenit 6 të KEDNJ-së.