Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, dhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Gresa Caka-Nimani, pritën në takim një delegacion nga Oda e Avokatëve të Kosovës, të prirë nga kryetari, z. Osman Havolli, të enjten, më 24 mars 2016.
Gjatë bashkëbisedimit, të dyja palët trajtuan çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me thellimin e bashkëpunimit reciprok nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe organizimit të trajnimeve të përbashkëta, me qëllim të aftësimit të avokatëve për përfaqësim sa më profesional dhe më efikas të palëve në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetarja Rama-Hajrizi vuri theksin veçanërisht në rëndësinë e shfrytëzimit të kontrollit incidental nga gjyqësori rregullt, si dhe angazhimin e avokatëve profesionist dhe të profilizuar për mbrojtjen e palëve në procedurë, që njëherësh do të kontribuonte në punën më efektive në gjykatat e të gjitha niveleve.
Kryetari Havolli ndërkaq shprehu bindjen se mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë në vend është i ndërvarur nga të gjitha hallkat e ndarjes dhe të zbatimit të drejtësisë, si dhe nga raporti profesional ndërmjet gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve.