Njoftim për medie

19.01.2016

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të prirë nga kryetarja, Arta Rama-Hajrizi, morën pjesë në Konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë, me temë: “Interpretimi dhe zbatimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga gjykatat kushtetuese të vendeve të Ballkanit perëndimor”, e cila u mbajt në hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë, të martën, më 19 janar 2016.

Pas fjalimit përshëndetës, kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim diskutoi mbi sfidat dhe perspektivat e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.  

Ajo bëri një elaborim të detajuar mbi praktikat e zbatimit të KEDNJ-së gjatë procesit të vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar disa nga rastet më specifike që janë trajtuar deri tani, si dhe për përpjekjet që janë bërë nga gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës për të tejkaluar sfidat e shfaqura në këtë aspekt.

Në vazhdim të konferencës, me fjalimet e tyre u prezantuan edhe zëvendëskryetari i Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Engin Yıldırım, si dhe znj. Tatiana Termacic, Udhëheqëse e Divizionit për zbatimin kombëtar të të drejtave të njeriut në kuadër të Këshillit të Evropës.

Konferenca do të vazhdojë me punimet të mërkurën, më 20 janar 2016, në të cilën po marrin pjesë edhe delegacionet nga Gjykata Kushtetuese e Letonisë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, si dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.