Njoftim për medie

20.04.2015

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës dhe me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), organizon punëtorinë në temën: “Inkurajimi i referimit të kërkesave nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e tjera të rregullta të Republikës së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese/Si të rritet ndjeshmëria e Gjykatës Supreme dhe gjykatave të tjera të rregullta që të dorëzojnë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese?”, e cila do të mbahet të martën dhe të mërkurën, më 21 dhe 22 prill 2015.

Kjo punëtori, që organizohet në vazhdën e takimeve të rregullta dhe të bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, ka për qëllim shkëmbimin e mëtejmë të përvojave të gjyqtarëve të të dy gjykatave përkitazi me parashtrimin e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Folës dhe moderatorë të punëtorisë, e cila do të mbahet në Budvë të Malit të Zi, do të jenë Prof. dr. Ulrich Karpen, profesor dhe dekan i Departamentit të së Drejtës publike dhe i Shkencave Politike në Universitetin e Hamburgut, dhe Prof. dr. Matthias Hartwig, profesor i së Drejtës kushtetuese në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani.