Në vijim mund të lexoni fjalimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof dr. Enver Hasani, mbajtur në ceremoninë e organizuar në hotel “Emerald” në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës së Drejtësisë në Kosovë:
“Sot kam nderin e privilegjin të flas, në emër të Gjykatës Kushtetuese, në këtë eveniment mjaft të rëndësishëm për jetën institucionale, politike, sociale, ekonomike e kulturore. Nuk do të flas për drejtësinë si fenomen, si një aspiratë sublime e njeriut dhe si një praktikë që njeriu e ka synuar pareshtur. Do të flas për mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën, për shkaktarin imediat të caktimit të kësaj dite si Ditë e Drejtësisë në Kosovë. I dhënë si mendim këshillëdhënës, ai megjithatë pati rolin e një vendimi me autoritet, jo pse u dha nga një organ i drejtësisë ndërkombëtare me një peshë të madhe, por për faktin se shtjelloi në një mënyrë të shkëlqyer, krejt të veçantë nga ana profesionale, sigurisht në një mënyrë të papërsëritshme edhe për një kohë të gjatë, natyrën e pushtetit krijues në një shoqëri.
Duke folur për dy lloj pushtetesh, Gjykata foli për pushtetin që krijon kushtetutën dhe për pushtetin që krijohet nga kushtetuta. Me bërjen e këtij dallimi, Gjykata hoqi pluhurin nga konceptet e lashta, të cilat na mësonin se pushteti krijues, origjinal, i një populli, asnjëherë nuk konsumohet përgjithmonë. Ky diskurs kushtetues e politik qe shtjelluar për herë të parë nga teoricienët e Revolucionit Francez, në rend të parë nga Benjamin Constant. U mor vesh, këtu nuk e kemi ndërmend të flasim për Benjamin Constant, si për apogjeun fillestar të Revolucionit Francez, për kritikuesin e tij të mëpastajmë, për arsyet pse ai e krahasoi Napoleon Bonopartin me barbarët e stepave aziatike, dhe kështu me radhë. Këtu e kemi ndërmend të flasim për dallimet që bëri Gjykata ndërmjet pushtetit krijues, pouvoir constitutant, dhe pushtetit të krijuar, pouvoir constituee, si dhe dallimit ndërmjet demokracisë radikale dhe asaj të kontrolluar nga mekanizmat kushtetues, siç janë: ndarja dhe balancimi i pushteteve, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e kështu me radhë. Me këtë vendim të vetin, Gjykata i vuri pikë një iluzioni teoriko-praktik që thotë se shprehja e vullnetit për vetëvendosje të popullit konsumohet me një veprim fillestar të krijimit të shtetit. Përveç kësaj, Gjykata, me këtë vendim, i vuri pikë edhe iluzionit tjetër që thotë se demokracia nënkupton sundimin pa kusht dhe pa kufi të shumicës, pa asnjë garanci institucionale, apo tjetër mekanizëm që mbron të tjerët që nuk janë me shumicën.
Sa i përket rrëzimit të iluzionit të parë, Gjykata shkoi kundër asaj që përpiluesit e pyetjes kishin parashikuar, duke vënë në dukje se autorët e Deklaratës së Pavarësisë kosovare nuk ishin të njëjtë me Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, IPVQ-të, dhe se mandati i tyre mbështetej në një akt origjinal të qytetarëve të Kosovës, jo në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Më këtë konstatim, Gjykata hoqi pluhurin e doktrinës së Benjamin Constant dhe të teoricienëve të tjerë për dallimin ndërmjet pushtetit krijues dhe atij të krijuar. Kjo qasje e Gjykatës zhgënjeu të gjithë dogmatikët, të cilët i japin të drejtës ndërkombëtare një cilësi fetish, të cilën nuk e ka, sipas së cilës integriteti territorial e sovraniteti i shteteve janë të shenjta dhe nuk mund të ndryshojnë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, pa marrë parasysh politikat e brendshme me të cilat shtetet udhëheqin me qytetarët e tyre. Zhgënjim të njëjtë panë britanikët, kur besuan se kolonitë amerikane mund t’i duronin pa kufi, pastaj spanjollët në fillim të shekullit 19-të, si dhe francezët dhe të tjerët në mesin e shekullit të kaluar, që bazonin politikat e tyre mbi premisa joliberale koloniale. Ky aspekt i fuqishëm, bazë mbi të cilën qëndron mendimi i GJND-së, më sjell te aspekti i dytë, ai i demokracisë radikale dhe i shkallës së tolerimit të saj në një demokraci kushtetuese.
Sa i përket kësaj, Gjykata nuk ka dhënë prononcimin e saj për arsye se nuk është punë e saj të merret me modelet e demokracisë së brendshme të shteteve. Megjithatë, mbrojtja e fuqishme që Gjykata i ka bërë pushtetit krijues dhe shtjellimi i jashtëzakonshëm i këtij koncepti, domosdo që nënkuptojnë se Kosova ka fituar të drejtën për ushtrim të pushtetit origjinal, jo pa kusht dhe jo pa kufij. Se kjo është kështu, shihet qartë që nga Deklarata e Pavarësisë, e 17 shkurtit 2008, e operacionalizuar deri në pikë të fundit në Kushtetutën e Kosovës që është në fuqi, sipas të cilave Kosova paraqitet si një demokraci kushtetuese e bazuar në ndarjen dhe në balancimin e pushtetit, në respektimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, në sundimin e ligjit dhe të demokracisë. Me një fjalë, sado që Gjykata nuk e ka thënë, sepse nuk ka qenë dhe nuk është punë e saj, prapëseprapë krejt lehtë ka qenë e nënkuptueshme se rruga që do të ndiqte Kosova pas shpalljes së pavarësisë do të ishte rruga e demokracisë kushtetuese që mbështetet mbi postulatet kryesore të konstitucionalizmit modern perëndimor. Postulatet e Kushtetutës sonë mishërojnë në dispozitat e saj filozofinë e John Locke, sa i përket vullnetit të atyre me të cilët qeveriset si sublim, filozofinë e Montesquieu, sa i përket ndarjes dhe balancimit të pushteteve, dhe filozofinë e Edward Coke, sa i përket vënies së theksit në liritë civile.
Këto ideale, të sanksionuara në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, në Kushtetutën e në ligjet e saj, nuk duhet të tradhtohen asnjëherë nëse mendohet që kjo Ditë e Drejtësisë një ditë të jetë Ditë e Drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa asnjë dallim. Kjo ditë bëhet e tillë vetëm atëherë kur të gjithë i marrin seriozisht detyrimet që dalin nga Kushtetuta e nga ligjet, të cilat formalisht, pa asnjë fije dyshimi, promovojnë dhe garantojnë drejtësi për të gjithë. Janë veprimet e autoritetit publik ato që i japin kuptim këtyre dispozitave, kurse drejtësisë kosovare i japin frymë e shpirt civilizues.”
(Prishtinë, më 22 korrik 2013)