Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i Kushtetutshmërisë së Vendimit të Gjykatës Supreme të Kosoves, A. Nr. 1360/08, te 19 qershorit 2009.

Nr. të lëndës KI 30/09

Parashtruesit: Agim Iliaz Dyla dhe të tjerët

Parashtruesit paraqitën kërkesën bazuar në Nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës duke pohuar se të drejtat e tyre kushtetuese janë cenuar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me ç’rast miratoi Vendimin e Drejtorisë për çështje pronësore juridike të komunës së Gjakovës lidhur me kërkesën e parashtruesve për kthim të pronës. Parashtruesit pohuan se Gjykata Supreme ka cenuar të drejtat e tyre të garantuara me nenet 24 dhe 29 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe nenin 1 të protokollit 1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive themelore të Njeriut.

Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve ishte e papranueshme bazuar në Rregullin 56 të Rregullores së Punës për shkak se parashtruesit nuk kishin paraqitur fakte që në ndonjë mënyrë arsyetonin pohimet për shkeljet e pretenduara të të drejtave kushtetuese. Gjykata vendimin e saj e arsyetoi duke përsëritur se nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si gjykatë e apelit, apo gykatë e shkallës së katërt, lidhur me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Duke cituar vendimin e GJEDNJ-së në rastin Vanek kundër Republikës së Sllovakisë, Gjykata më tutje arsyetoi se pas shqyrtimit të dokumenteve të dorëzuara nga parashtruesit nuk vëren ndonjë indikacion se procedurat në tërësi kanë qenë të padrejta apo të prekuara nga arbitrariteti, dhe se Gjykata Supreme kishte dhënë arsye të mjaftueshme se përse ankesat e parashtruesve ishin të pabazuara. Për shkak të arsyeve të përmendura, Gjykata vendosi të hedhë poshtë kërkesën e parashtruesve si të papranueshme.

Parashtruesit:

Agim Iliaz Dyla dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile