Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, ka udhëtuar për një vizitë disa ditore në Dublin të Irlandës, i ftuar në cilësinë e folësit në konferencën vjetore të Odës Amerikane të Avokatëve – “ABA Fall Meeting 2011”.
Në konferencë, Kryetari i Gjykatës do të diskutojë rreth kornizës ligjore evropiane mbi vetëvendosjen në ish-Jugosllavi, pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 22 korrik 2010.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin irlandez, Kryetari Hasani pritet të zhvillojë edhe disa takime zyrtare në Gjykatën Supreme të Republikës së Irlandës, në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të këtij vendi, si dhe në Departamentin për Punë të Jashtme.
Një takim të veçantë, Kryetari Hasani do ta ketë edhe me ish-presidenten irlandeze, znj. Mary Robinson.