Njoftim për medie

20.04.2011

Në përfundim të vizitës tre ditore në Republikën e Shqipërisë, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në krye me Kryetarin e saj Prof. Dr. Enver Hasani, është pritur të mërkurën në Tiranë në një takim nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bamir Topi.

Duke e falënderuar për pritjen, Kryetari Hasani e njoftoi Presidentin Topi për punën dhe rrjedhën e zhvillimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për rolin e saj në sistemin juridik kosovar, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë dhe shumë të suksesshëm me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Presidenti Topi e vlerësoi lartë veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në Kosovë dhe inkurajoi që bashkëpunimi midis gjykatave kushtetuese të Kosovës dhe Shqipërisë të vazhdojë dhe të thellohet edhe më tutje.

Gjatë vizitës në Republikën e Shqipërisë, delegacioni i Gjykatës Kushtetues të Republikës së Kosovës është pritur edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topali, kurse kryetarët e dy gjykatave, z. Enver Hasani dhe z. Bashkim Dedja, kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman “Hans Seidel” për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, organizuan në Durrës një seminar pune me temën “Kontrolli Incidental”, në të cilin referuan Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani dhe z. Admir Thanza, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.