Njoftim për medie

01.11.2010

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e Valon Bislimit kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë

Prishtinë, 1 nëntor 2010. Gjykata Kushtetuese sot nxori Aktgjykimin për rastin në fjalë, për të cilin kishte vendosur njëzëri më herët gjatë muajit. Ky rast ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së shkeljes së supozuar të lirisë së lëvizjes së parashtruesit të kërkesës të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas parashtruesit të kërkesës, atij i është shkelur e drejta për t’u larguar nga vendi pasi i është refuzuar lëshimi i pasaportës – dokument që kërkohet për të udhëtuar jashtë vendit. Parashtruesi i kërkesës më tej pohoi se në sistemin ligjor të Kosovës nuk ka mjete efektive juridike për ta ushtruar të drejtën e tij për t’u larguar nga vendi.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi nëse parashtruesi i kërkesës kishte në dispozicion mjete juridike, nëse i kishte shterur ato, dhe nëse ato ishin apo nuk ishin efektive. Palët kundërshtare hollësisht e sqaruan praktikën aktuale gjatë seancës dëgjimore, të mbajtur më 14 korrik 2010, por asnjëra prej tyre nuk tregoi se kishte mjete juridike që ishin në dispozicion për situatën e parashtruesit të kërkesës apo nëse ndonjë mjet juridik ishte efektiv. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk kishte në dispozicion mjete efektive juridike të cilat do të mund t’i ushtronte apo shterte. Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme.

Gjykata shqyrtoi nëse ka pasur shkelje të së drejtës për t’u larguar nga vendi, të garantuar me Nenin 35 të Kushtetutës dhe Nenin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës. Gjykata konstatoi që procedura gjyqësore dështoi t’i përmbushte kriteret e Nenit 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës. Gjykata, gjithashtu, konstatoi që organi administrativ përgjegjës për lëshimin e pasaportave nuk i ka marrë parasysh të gjitha informatat përkatëse për të siguruar që kufizimi i lirisë së lëvizjes së parashtruesit të kërkesës ishte i justifikuar apo proporcional. Autoritetet kanë dështuar ta përmbushin obligimin e tyre për t’i rishqyrtuar rregullisht masat që e kufizonin lirinë e lëvizjes së parashtruesit të kërkesës. Prandaj, parashtruesi i kërkesës u ishte nënshtruar masave të një natyre automatike, pa kufizim lidhur me përmasën ose kohëzgjatjen e tyre. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që ka pasur shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për liri të lëvizjes, të garantuar me Nenin 35 të Kushtetutës në lidhje me Nenin 2, paragrafin 2 të Protokollit Nr. 4 të Konventës.

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, shqyrtoi nëse e drejta e parashtruesit të kërkesës për mjete efektive juridike ishte shkelur. Gjykata Kushtetuese vërejti që palët kundërshtare kishin nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit më 21 gusht 2008, që kishte për qëllim themelimin e procedurave dhe përgjegjësive për zbatimin e Nenit 27 të Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit. Gjykata theksoi që memorandumi vetëm mund ta ndihmonte zbatimin e Ligjit dhe në asnjë mënyrë nuk duhej të përdorej si arsyetim për moszbatimin e Ligjit. Gjykata vërejti që në përputhje me praktikën e bazuar në memorandum, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për pasaportë kurrë nuk ishte shqyrtuar me mbrojtje dhe përpikëri të mjaftueshme procedurale nga një autoritet përkatës. Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që praktika e bazuar në memorandumin e mirëkuptimit të 21 gushtit 2008, e zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Gjykata Komunale, e pengoi parashtruesin e kërkesës që ta gëzonte të drejtën e tij për mjet efektiv juridik në kundërshtim me Nenin 54 të Kushtetutës në lidhje me Nenin 13 të Konventës.

Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të marrë vendim lidhur me kërkesën e parashtruesit për pasaportë, në pajtim me Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit dhe kushtet e Aktgjykimit të Gjykatës, brenda 30 ditësh pas pranimit të këtij Aktgjykimi.

Teksti i plotë i Aktgjykimit mund të gjendet në: http://www.gjk-ks.org/