Tryezë për 10 vjetorin e miratimit të Kushtetutës

10.04.2018

Me ftesë të Kolegjit “AAB” dhe të Institutit për studime kushtetuese dhe parlamentare “ISKP”, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, mori pjesë në tryezën me temë “10 vjet Kushtetutë”, e cila u mbajt të martën, më 10 prill 2018, në Prishtinë.

Në tryezën e organizuar në kolegjin “AAB”, me rastin e 10-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetarja Rama-Hajrizi mbajti një prezantim në temën: “Përvoja e Gjykatës Kushtetuese – Rrugëtimi drejt suksesit”.

Gjatë prezantimit të saj, kryetarja Rama-Hajrizi foli ndër të tjera për rëndësinë e hartimit të Kushtetutës së re të Kosovës, rrethanat në të cilat ajo u miratua, si dhe për mundësitë që ajo i krijoi për themelimin e institucioneve të reja, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim diskutoi edhe për punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, sfidat që ajo i ka tejkaluar pas themelimit, duke veçuar njëherësh edhe disa prej vendimeve të saj më me rëndësi.

Në përmbyllje të fjalës ajo shprehu zotimin se Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët e saj do të vazhdojnë me devotshmëri punën e tyre në mbrojtje të Kushtetutës dhe të kushtetutshmërisë në vend.