Punëtori me gjyqtarët e rinj të gjykatave themelore të Kosovës

27.05.2019

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë të Republikës së Kosovës organizuan punëtorinë e përbashkët në temën: “Roli dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Raporti me gjykatat e rregullta dhe institucionet tjera”, e cila u mbajt në gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese.

Punëtoria e mbajtur pati për qëllim informimin e gjyqtarëve të rinj të Kosovës, me autoritetin dhe me rolin që ka Gjykata Kushtetuese në raport me gjyqësorin e rregullt, si dhe me institucionet e tjera në vend, për të cilat ata u njoftuan më për së afërmi nga këshilltari i parë juridik i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati.

Procedurat e parashtrimit dhe të shqyrtimit të lëndëve, trajtimi i ankesave individuale ndaj vendimeve të gjykatave të rregullta, si dhe e drejta e referimit të rasteve në shqyrtim nga gjykatat e rregullta në Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet kontrollit incidental (konkret), ishin vetëm disa prej temave rreth të cilave këshilltari Kastrati në vazhdim përqendroi prezantimin e tij.

Shqyrtimi i kërkesave që kanë të bëjnë me tejzgjatjen e procedurave gjyqësore nga gjyqësori i rregullt, afatet kohore për shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën Kushtetuese dhe trajtimi i lëndëve me prioritet, sidomos në rastin e kërkesave të parashtruara nga autoritetet publike, ishin disa nga çështjet për të cilat gjyqtarët e rinj shprehën interesimin e tyre që të informohen më hollësisht.

Përkitazi me marrëdhënien e bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Komisionit të Venecias, mysafirët i njoftoi më në detaje Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim, z. Veton Dula, njëherësh Zyrtar ndërlidhës i Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias.