Njoftim për medie

30.05.2011

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, priti sot në një vizitë zyrtare Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, z. Ahmet Kahraman, i cili në takim shoqërohej nga Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Songül Ozan.
Kryetari Hasani i informoi të pranishmit rreth organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke i bërë një prezantim të shkurtë punës dy vjeçare të këtij institucioni.
Ai vuri në dukje mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën që Qeveria e Turqisë i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në nismat e saj, si institucion për mbikëqyrjen e kushtetutshmërisë në vend, duke falënderuar njëherit edhe Gjykatën Kushtetuese të Turqisë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë deri tani. 
Nga ana e tij, ministri Kahraman konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë turke në zhvillimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe thellimin e reformave në sistemin gjyqësor, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi i dy vendeve në lëmin e drejtësisë do të intensifikohet edhe më tej.
Në takim mori pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës,  Prof. Dr. Hajredin Kuqi.