Gjykata Kushtetuese e Kosovës hap faqen e saj zyrtare të internetit

27.02.2009

Gjykata Kushtetuese e Kosovës hapi faqen e saj zyrtare të internetit më datën 27 shkurt 2009. Faqja e internetit është punuar në kuadër të projektit Iniciativa për drejtësi kushtetuese në Kosovë, program ky i zbatuar nga East-West Management Institute dhe i mbështetur nga DFID-i. Kjo faqe interaktive, e lëshuar në funksion në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze është punuar për të qenë një burim i dobishëm i informatave për qytetarët e Kosovës, duke njoftuar ata për përbërjen, funksionin dhe strukturën e gjykatës. Vizitorët e faqes, www.gjk-ks.org, do të kenë mundësi të shkarkojnë formularët e nevojshëm për të parashtruar kërkesë pranë kësaj gjykate dhe të përcjellin vendimet gjyqësore.

Me kompetenca për të shqyrtuar legjislacionin dhe ankesat individuale për shkeljen e të drejtave, Gjykata është kontrolli përfundimtar i pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe arbitër përfundimtar i kuptimit të dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo faqe interneti do të shtojë transparencën e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e besimit në mes të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të tyre udhëheqëse.