Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës penale në Gjykatën Themelore në Prizren

Nr. të lëndës KI94/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI94/17, Parashtrues i kërkesës: Muhamedali Ceyşülmedine, Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës penale në Gjykatën Themelore në Prizren në procedurën e përsëritur

KI94/17, Aktvendim për papranueshmëri i 28 shkurtit 2018, i publikuar më 7 maj 2018

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës penale, Gjykata Themelore në Prizren, mosshterja e të gjitha mjeteve juridike 

Kërkesa bazohet në nenin 113(7) të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121, dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë rast kemi të bëjmë me procedurën penale e iniciuar nga Prokuroria Publike Themelore kundër M. P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të shkaktimit të lëndimeve të lehta dhe të rënda trupore parashtruesit të kërkesës. Lidhur me këtë, Gjykata Themelore nxori Aktgjykimin K. nr. 1246/13, me të cilin e shpalli M.P. fajtor dhe e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, si dhe me dënim plotësues me gjobë.

Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren, parashtruesi dhe i akuzuari paraqitën ankesa në Gjykatën e Apelit, e cila nxori Aktvendimin PA1. nr. 467/2016 dhe e aprovoi ankesën e të akuzuarit M.P., anuloi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, K. nr. 1246/13 dhe e ktheu çështjen në rigjykim, ndërsa ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi.

Pas procedurës së përsëritur penale, Gjykata Themelore e shpalli përsëri M.P. fajtor dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti dhe me dënimin plotësues me gjobë, ku parashtruesi i kërkesës dhe i gjykuari ushtruan ankesa në Gjykatën e Apelit kundër këtij aktgjykimi të Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjyqtari i Gjykatës Themelore e vonon procedurën panevojshëm, duke miratuar vazhdimisht shtyrjen e seancës gjyqësore në favor të të akuzuarit, duke shkelur në këtë mënyrë nenet 3, 24, 31 të Kushtetutës.

Për sa i përket këtij pretendimi të parashtruesit, Gjykata vëren se procedurat në lidhje me kërkesat e parashtruesit janë ende në zhvillim e sipër në Gjykatën e Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet si e papranueshme, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, siç është caktuar në nenin 113(7) të Kushtetutës, nenin 47(2) të Ligjit dhe rregullin 36 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Muhamedali Ceyşülmedine

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale