Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 1952/2016, të 24 prillit 2017

Nr. të lëndës KI 25/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI25/18, Parashtrues: Vasilije Antović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 1952/2016, të 24 prillit 2017

KI25/18, Aktgjykim i 20 qershorit 2019, publikuar më 11 korrik 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, res judicata,  kërkesë e pranueshme, mosshkelje e të drejtave kushtetuese

 Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Komunën e Zubin Potokut deri në vitin 1990, kur ishte larguar nga puna. Pas padisë së parashtruesit, Gjykata Komunale në Mitrovicë kishte obliguar Komunën e Zubin Potokut që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, me të gjitha të drejtat dhe obligimet. Pasi komuna e Zubin Potokut nuk i kishte paguar pagat për kohen që kishte qene i larguar nga puna, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi të re. Më 12 nëntor 1996, Gjykata Komunale në Mitrovicë-Dega në Zubin Potok, përmes Aktgjykimit P. nr. 345/96, aprovoi pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe e obligoi Komunën e Zubin Potokut, që në emër të kompensimit të dëmit për shkak të pagave të humbura, t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës një shumë të caktuar monetare. Ky Aktgjykim ishte bërë i formës së prerë.

Në lidhje me përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Mitrovicë, P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996, parashtruesi i kërkesës që nga viti 1997 deri në vendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 1952/2016, të 25 prillit 2017, kishte iniciuar tri procedura gjyqësore. Vendimi i parë për përmbarimin e Aktgjykimit P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996, të Gjykatës Komunale në Mitrovicë, të 12 nëntorit 1996, ishte Aktvendimi nr. 82/97 i Gjykatës Komunale në Mitrovicë, i 29 shtatorit 1997, me të cilin ishte aprovuar propozimi i parashtruesit të kërkesës.  Vendimi i dytë përkitazi me përmbarimin e të njëjtit Aktgjykim ishte Aktvendimi P. nr. 329/2003 i Gjykatës Komunale në Mitrovicë, i 16 majit 2003 me të cilin ishte caktuar përmbarimi i Aktgjykimit P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996. Së treti, sërish si rezultat i propozimit të parashtruesit të kërkesës për përmbarimin e Aktgjykimit P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996, Gjykata Themelore në Mitrovicë me Aktvendimin P. nr. 329/2003, të 19 dhjetorit 2014, shfuqizoi Aktvendimin e Gjykatës Komunale në Mitrovicë P. nr. 329/2003, të 16 majit 2003, dhe vendosi të refuzojë propozimin e parashtruesit të kërkesës për përmbarim dhe të përfundojë “procedurën përmbarimore në kuptim të nenit 66, paragrafit 3 të LPK-së”. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 1952/2016, të 25 prillit 2017.

Parashtruesi i kërkesës, konteston para Gjykatës Kushtetuese, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 1952/2016, të 25 prillit 2017, duke pretenduar shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë, duke theksuar se Komuna aktuale e Zubin Potokut “ka mundur që ekzekutimin në fjalë ta kryej pa marrë parasysh rrethanat që kanë ndodhur gjatë 10-15 viteve të kaluara, duke pasur parasysh para së gjithash, trashëgiminë ligjore”.

Gjykata fillimisht ritheksoi njërin ndër parimet kryesore të së drejtës për një gjykim të drejtë, obligimin për zbatimin e vendimeve  që janë bërë res judicata. Megjithatë, Gjykata theksoi  se efektet res judicata të vendimeve, në këtë rast të Aktgjykimit P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996, kanë kufizime ad personam (për një person të caktuar) dhe në fushëveprimin material (çështja e caktuar).

Në lidhje me rastin konkret, Gjykata vërejti se me Aktvendimin e Gjykatës Themelore, të vërtetuar me Aktvendimin CA. nr. 1952/2016, të 25 prillit 2017, të Gjykatës së Apelit, është shfuqizuar Aktvendimi i Gjykatës Komunale në Mitrovicë, P. nr. 329/2003, i 16 majit 2003, dhe ishte vendosur që të përfundojë procedura përmbarimore përkitazi me Aktgjykimin e Gjykatës Komunale të Mitrovicës, dega në Zubin Potok, P. 345/96, të 12 nëntorit 1996, ndaj Komunës aktuale të Zubin Potokut, pasi ishte konstatuar se përmbarimi ishte i pamundur pasi komuna aktuale e Zubin Potokut, nuk mund ti përmbush obligimet e Komunës së Zubin Potokut të para vitit 1999. Gjykata vëren se me vendimin e kontestuar Gjykata e Apelit vetëm kishte përfunduar procedurën e përmbarimit ndaj Komunës aktuale të Zubin Potokut (ad personam) dhe nuk kishte vënë në pikëpyetje Aktgjykimin P. nr. 345/96, të 12 nëntorit 1996.

Rrjedhimisht, Gjykata mbështetur në karakteristikat e veçanta të rastit, faktet e paraqitura, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, arsyetimin e Gjykatës së Apelit, si dhe bazuar në standardet e vendosura dhe parimet e përcaktuara në praktikën e vet gjyqësore dhe asaj të GJEDNJ-së, nuk gjeti që me Aktvendimin CA. nr. 1952/2016, të 25 prillit 2017, të jetë shkelur e drejta e parashtruesit për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

Parashtruesit:

Vasilije Antović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Tjetër