Njoftim për vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 26 mars 2021

26.03.2021

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 26 mars 2021, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 105/19; 2. KI 240/19; 3. KI 45/20 dhe KI 46/20; 4. KI 87/20; 5. KI 97/20; 6. KI 145/20; 7. KI 175/20 dhe 8. KI 13/21. Më poshtë mund t’i lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Lënda: KI 105/19
Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme [AC-II.-12-0126], për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të datës 14 shkurt 2019, në ndërlidhje me aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë [C. nr. 2021/2007], të datës 29 korrik 2007. Pala parashtruese pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe paragrafin 3 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 21.4 dhe me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

2. Lënda: KI 240/19
Parashtrues: Enver Latifi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 436/18], të datës 12 dhjetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 34 [E Drejta për të Mos u Gjykuar Dy Herë për të Njëjtën Vepër] të Kushtetutës së Republikës të Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(c) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Lënda: KI 45/20 dhe KI 46/20
Parashtrues: Tinka Kurti dhe Drita Millaku

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës [AA.nr. 4/2020], të datës 19 shkurt 2020 dhe [AA.nr.3/2020], të datës 19 shkurt 2020. Parashtrueset e kërkesës pretendonin se me vendimet e kontestuara u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre të garantuara me nenet: 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit], 45 [Të drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe me nenin 3 (E Drejta për Zgjedhje të Lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

Rastet e bashkuara KI45/20 dhe KI46/20 janë dy raste që kanë të bëjnë me kontestet rreth zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Kërkesat janë parashtruar nga dy kandidate (Tinka Kurti dhe Drita Millaku) për deputete nga subjekti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) – të cilat pretendonin se KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme kanë zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese mënyrën e zëvendësimit të deputetëve të përcaktuar me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Gjykata rikujton që disa deputetë të subjektit politik LVV, të cilët u zgjodhën në pozita qeveritare/komunale, liruan disa pozita të deputetëve të cilat duhej të zëvendësoheshin me kandidatët e ligjshëm në radhë për deputetë. Kësisoj, nga deputetët të cilët liruan ulëset e tyre u bënë zëvendësimet vijuese: kandidati Enver Haliti me 7,777 vota zëvendësoi deputetin Albin Kurti; kandidati Alban Hyseni me 7,767 vota zëvendësoi deputetin Glauk Konjufca; kandidatja Arta Bajralia me 7,674 vota zëvendësoi deputeten Albulena Haxhiu; kandidati Fitim Haziri me 7,542 vota zëvendësoi deputetin Arben Vitia; kandidati Eman Rrahmani me 7,044 vota zëvendësoi deputetin Haki Abazi. Më vonë, kandidati Taulant Kryeziu me 6968 vota zëvendësoi deputetin Shpejtim Bulliqi.
Domosdoshmëria e zëvendësimit të deputetëve aktivizoi në mënyrë automatike dispozitat ligjore të përcaktuara me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme – nen ky që specifikon mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, me tekst vijues:

112.2 Një anëtar i Kuvendit të Kosovës mandati i të cilit përfundon në pajtim me nenin 112.1 zëvendësohet si vijon:
a) nga kandidati i ligjshëm në radhë i të njëjtës gjini i cili ka fituar numrin më të madh të votave të listës së riorganizuar të kandidatëve të Subjektit Politik në emër të së cilës garoi anëtari; […]

Gjykata vëren se, sipas interpretimit që këtij neni iu është bërë nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, të gjitha zëvendësimet ishin bërë bazuar në kriterin e “gjinisë” dhe pa marrë parasysh rezultatin e arritur nga kandidatët për deputetë pas plotësimit të kuotës obligative ligjore për përfaqësim prej 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar ose gjinisë pakicë. Kësaj mënyre të zëvendësimit të paraparë me ligj, sipas Gjykatës Supreme, nuk kanë mundur t’i shmangen as KQZ, as PZAP e as Gjykata Supreme ngase ekziston supozimi se ligjet janë në pajtim me Kushtetutën dhe se ato duhet zbatuar ashtu siç janë, “deri sa nga Gjykata Kushtetuese të konstatohet se një ligj ose ndonjë dispozitë ligjore e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”.
Duke mos u pajtuar me këtë interpretim, parashtrueset e kërkesave dorëzuan kërkesat e tyre në Gjykatën Kushtetuese, nën pretendimin kyç se KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme e kanë zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese mënyrën e zëvendësimit të deputetëve të paraparë me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në thelb, ato pretenduan se përkundër plotësimit dhe tejkalimit të kuotës prej 30% nga kandidatet gra për deputete nga LVV – zëvendësimet për deputetë ishin bërë jo bazuar në rezultat zgjedhor por bazuar në gjini. Sipas tyre, kjo gjë ka shkaktuar pabarazi në trajtim dhe shkelje të së drejtës së tyre për t’u zgjedhur.

Gjykata rikujton që, bazuar në mënyrën e zëvendësimit të aplikuar nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, deputetët burra ishin zëvendësuar nga kandidatët burra për deputetë dhe deputetet gra ishin zëvendësuar nga kandidatet gra për deputete – përkundër faktit që parashtrueset e kërkesave kishin marrë më shumë vota se disa nga kandidatët burra që arritën të zgjedhën deputetë të Kuvendit. Parashtruesja e parë, Tinka Kurti kishte mbledhur 7655 vota dhe parashtruesja e dytë, Drita Millaku kishte mbledhur 7063.
Gjykata sqaroi se, nuk është duke vlerësuar in abstracto nëse neni 112.2 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme është apo nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën. Kjo për faktin që, as para kësaj Gjykate e as para institucioneve paraprake publike që e kanë trajtuar këtë çështje, parashtrueset asnjëherë nuk kanë pretenduar që neni në fjalë është kundërkushtetues. Përkundrazi, parashtrueset vetëm kanë pretenduar që ky nen është zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese nga KQZ, PZAP e Gjykata Supreme. Duke marrë për bazë faktet e mësipërme dhe pretendimet e ngritura në këtë rast, Gjykata në këtë ankesë individuale kushtetuese trajtoj faktin se: A është zbatuar neni 112.2 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nga ana e KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, në përputhje me garancitë, vlerat dhe parimet e proklamuara me nenet 24 dhe 45 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së dhe nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së?

Gjykata Kushtetuese konstatoi se, interpretimi i këtij neni nga ana e KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme nuk është interpretim i saktë dhe kushtetues për disa nga arsyet vijuese – të cilat janë gjerësisht të shtjelluara në Aktgjykim.
Së pari, Gjykata konstatoi se KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, e kanë interpretuar nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në mënyrë të ngurtë e tekstuale dhe të shkëputur nga të gjitha normat e tjera ligjore të parapara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Barazi Gjinore si dhe parimet, vlerat dhe frymën e shkronjës e Kushtetutës. Ky lloj interpretimi ka abstrahuar kontekstin, qëllimin dhe arsyen e vendosjes së kuotës prej 30%, si masë e veçantë për të ndihmuar drejt arritjes së përfaqësimit të barabartë në mes të dy gjinive në Kuvendin e Republikës.
Së dyti, Gjykata potencoi se ratio legis i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në kontekst të përfaqësimit gjinor në Kuvend, konsiston në atë që siguron – në çdo rrethanë -përfaqësim prej të paktën 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar ose gjinisë pakicë (cilado qoftë ajo). Mirëpo, qartazi, 30% paraqet vetëm kufirin minimal të përfaqësimit gjinor të gjinisë pakicë, por jo edhe kufirin më të lartë të përfaqësimit të njërës gjini. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se, në momentin që sigurohet përfaqësimi minimal prej 30% për gjininë e nënpërfaqësuar, të gjitha zëvendësimet e ardhshme duhet të bëhen në bazë të renditjes të kandidatëve për deputetë, të cilën e përcakton rezultati zgjedhor. Mbi këtë bazë, kuota gjinore zbatohet vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin është vendosur, pra, për të siguruar përfaqësimin e detyrueshëm minimal të gjinisë pakicë në kuotën prej 30%, ndonëse ideali kushtetues dhe fryma e Kushtetutës, e reflektuar në nenin 7, synojnë arritjen e barazisë faktike 50% me 50% në mes të dy gjinive.

Së treti, Gjykata theksoi se interpretimi i nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme sipas mënyrës së interpretimit nga KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme, do të kishte kuptim vetëm në situatën kur mund të ndodhë që mos-zëvendësimet gjini-për-gjini (grua-për-grua ose burrë-për-burrë) do të mund të rrezikonin mos-përmbushjen e kuotës ligjore prej 30% të përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar. Mirëpo, interpretimi i këtij neni, në mënyrën siç është bërë, kur dihet se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kandidatet gra të subjektit politik LVV kishin arritur të merrnin vota meritore përtej përqindjes së kuotës ligjore prej 30%, është interpretim i gabuar i kësaj norme dhe në shpërputhje me vet qëllimin e kuotave ligjore të përcaktuara me nenin 27 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Së katërti, Gjykata potencoi se qëllimi i vendosjes së kuotave ndërlidhet me nevojën për avancimin e barazisë gjinore brenda një shoqërie deri në arritjen e një barazie faktike, kur kuotat bëhen të panevojshme. Neni 112.2 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ekziston për një arsye të vetme: të paraqes mënyrën e zëvendësimit të deputetëve – gjithnjë duke ruajtur qëllimin e përfaqësimit obligativ ligjor prej të paktën 30% të gjinisë pakicë. Nëse pas plotësimit të normës prej 30%, kandidatët nga gjinia pakicë (të nënpërfaqësuar) arrijnë të bëhen deputetë me forcat e tyre vetanake duke korrur rezultat më të mirë se sa pjesëtarët e gjinisë shumicë, atyre nuk duhet t’u mohohet e drejta për t’u zgjedhur deputetë të Kuvendit.
Gjykata konstatoi se, parashtruesja Tinka Kurti është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia e zëvendësimit të deputetëve, e njëjta edhe pse kishte më shumë vota se kandidatët burra për deputetë Fitim Haziri dhe Eman Rrahmani, nuk iu mundësua që të bëhej deputete.

Më tutje, Gjykata gjithashtu konstatoi se, parashtruesja Drita Millaku është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% nëpërmjet rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia për zëvendësimet e ardhshme të deputeteve, përkatësisht kur dha dorëheqje deputeti Shpejtim Bulliqi, në vend të tij, në bazë të përcaktimit për zëvendësim në kuadër të gjinisë së njëjtë, më 18 dhjetor 2020, mandat deputeti mori kandidati Taulant Kryeziu me 6968 vota.

Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që: Aktvendimi [AA. nr. 4/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Aktvendimi [AA. nr. 3/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Vendimi i PZAP [Anr. 35/2020] i 13 shkurtit 2020; Vendimi i PZAP [Anr. 36/2020] i 13 shkurtit 2020; si dhe pika 5 e Vendimit të KQZ [nr. 102/A-2020] i 7 shkurtit 2020, janë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 3 (E Drejta për Zgjedhje të Lira) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ.

Efekti i Aktgjykimit

Gjykata vërejti se, për arsye objektive dhe në interes të sigurisë juridike, ky Aktgjykim nuk mund të prodhojë efekt juridik prapaveprues në lidhje me mandatet e deputetëve. Në këtë aspekt, Gjykata sqaroi se ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk prek të drejtat e palëve të treta të fituara në bazë të vendimeve të anuluara me këtë Aktgjykim. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që ky Aktgjykim është thjesht deklarativ dhe pa asnjë efekt.

Efekti i parë i këtij Aktgjykimi është shfuqizimi i vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme, PZAP-it dhe KQZ-së, si të papajtueshme me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, në aspekt të interpretimit të nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përmes shfuqizimit të këtyre vendimeve, ky Aktgjykim sqaron për të ardhmen se, bazuar në një lexim të saktë dhe kontekstual të nenit 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, zëvendësimi i kandidatëve për deputetë duhet të bëhet në atë mënyrë që: së pari, të sigurohet përfaqësimi minimal në masën 30% të gjinisë së nënpërfaqësuar (gjinisë pakicë), e cila nuk mund të vihet në pikëpyetje në asnjë moment; dhe së dyti, në rastet kur kuota gjinore prej 30% është përmbushur bazuar në rezultatin zgjedhor (siç ishte rasti konkret), atëherë zëvendësimet e kandidatëve për deputetë duhet të bëhen në bazë të rezultatit zgjedhor, pa u kufizuar në aspektin e zëvendësimit në bazë të gjinisë së njëjtë, përderisa nuk rrezikohet minimumi i përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar.

Efekti i dytë që ky Aktgjykim mundëson, ka të bëjë me të drejtën që iu lind parashtrueseve të kërkesave ose palëve të tjera që mund të preken nga ky Aktgjykim, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij të fundit. Këtyre palëve iu lind e drejta për shfrytëzimin e mjeteve të tjera juridike në dispozicion për realizimin e mëtejmë të të drejtave në përputhje me gjetjet e këtij Aktgjykimi dhe praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së të cituar në këtë Aktgjykim.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, më 26 mars 2021, njëzëri:

VENDOS

I. T’I DEKLAROJË kërkesat KI45/20 dhe KI46/20 të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) në lidhje me nenin 3 (E Drejta për Zgjedhje të Lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

III. TË SHPALLË të pavlefshëm:

(i) Aktvendimet [AA. nr. 3/2020 dhe AA. nr. 4/2020] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 19 shkurtit 2020;
(ii) Vendimet [Anr. 35/2020 dhe Anr. 36/2020] e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të 13 shkurtit 2020;
(iii) Pikën 5 të Vendimit [nr. 102/A-2020] të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të 7 shkurtit 2020.

IV. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk prek të drejtat e palëve të treta të fituara në bazë të vendimeve të anuluara;

V. TË OBLIGOJË të gjitha autoritetet publike të Republikës së Kosovës që nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ta interpretojnë në pajtim me gjetjet e këtij Aktgjykimi;

VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;

VII. TË SHPALLË se ky Aktgjykim hyn në fuqi ditën e publikimit dhe dorëzimit të tij tek palët.

4. Lënda: KI 87/20
Parashtrues: “SUVA” Rechtsabteilung

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E. Rev. nr. 68/2019], të datës 27 janar 2020, me të cilin pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), dhe me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 21.4 dhe me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

5. Lënda: KI 97/20
Parashtrues: Nehat Salihu

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 140/2019], të datës 19 nëntor 2019. Në kërkesën e tij, parashtruesi nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendon t’i jenë cenuar me aktgjykimin e kontestuar.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(b) e (d) dhe 59 (1)(b) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

6. Lënda: KI 145/20
Parashtrues: Hafize Gashi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.244/2020], të datës 27 korrik 2020, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.265/2015], të datës 20 gusht 2020. Parashtruesja e kërkesës pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

7. Lënda: KI 175/20
Parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme [AC-II-15-0042], për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të datës 21 korrik 2020. Pala parashtruese pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], 103 [Organizimi dhe Juridiksioni i Gjykatave], 121 [Prona] dhe 159 [Pronat dhe Ndërmarrjet në Pronësi Shoqërore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me nenin 21.4 dhe me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

8. Lënda: KI 13/21
Parashtrues: Bleon Jerlija

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të paspecifikuar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kërkesa të refuzohet.