Në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese (2021 – 2025) përkitazi me përmirësimin e komunikimit me publikun dhe rritjen e transparencës rreth vendimmarrjes së Gjykatës, duke filluar nga muaji tetor 2021, Gjykata do të publikojë Njoftimet periodike për çdo aktgjykim, si dhe për çdo aktvendim të rëndësisë së veçantë, të publikuar në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese.
Më poshtë njoftimi për publikimin e Aktgjykimit KI82/21, të parashtruar nga Komuna e Gjakovës:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi Aktgjykimin në rastin KI82/21, të parashtruar nga Komuna e Gjakovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [UPP-APP. nr. 1/2020] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 28 tetorit 2020.
Nga shkresat e lëndës rezulton që pala e interesuar, A.F, ishte i punësuar në Komunën e Gjakovës në pozitën Avokat Publik Komunal, duke filluar nga viti 2008. Përderisa ishte duke e ushtruar këtë funksion, Komuna e Gjakovës kishte pranuar njoftime nga Prokuroria për fillimin e veprimeve hetimore ndaj tij si rezultat i dyshimit për kryerjen e disa veprave penale. Për pasojë, Kryetarja e Komunës së Gjakovës, kishte pezulluar personin A.F nga funksioni përkatës. Ankesa e tij kundër vendimit për pezullim të Komunës së Gjakovës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ishte refuzuar. Pala A.F kishte iniciuar procedura në gjykatat e rregullta e të cilat kishin kthyer çështjen në rivendosje në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës dhe i cili sërish vërtetoi vendimin e lartcekur të Komunës për pezullimin nga detyra të personit A.F. Në ndërkohë, në procedurën penale, pala A.F ishte shpallur fajtor për veprën penale të konfliktit të interesit përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Si rezultat, Komuna e Gjakovës filloi procedurën disiplinore, si rezultat i së cilës, pala A.F, u largua nga puna. Përkitazi me këtë vendim, ishin zhvilluar procedura në Gjykatën Themelore, të Apelit dhe Supreme, të cilat përfundimisht e refuzuan kërkesën e palës A.F. Megjithatë, ky i fundit, parashtroi kërkesë për përsëritje të procedurës, e cila u miratua më 28 tetor 2020, përmes Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të kontestuar para Gjykatës nga Komuna e Gjakovës në rrethanat e këtij rasti.
Komuna e Gjakovës para Gjykatës pretendoi shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar përmes Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryesisht duke u fokusuar në cenimin e parimit të kontradiktoritetit dhe parimit të barazisë së armëve në procedurë, sepse sipas pretendimit, Gjykata Supreme, kishte vendosur sipas kërkesës së palës A.F, pa e njoftuar Komunën e Gjakovës, duke i pamundësuar dhe mohuar të njëjtës paraqitjen e përgjigjes në kërkesë dhe kundërargumentet përkatëse.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe përgjigjes përkatëse të palës A.F., Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me parimin e kontradikoritetit dhe barazisë së armëve, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, ritheksoi se parimi i “barazisë së armëve” kërkon “një baraspeshë të drejtë ndërmjet palëve”, ku secilës palë duhet dhënë mundësia e arsyeshme për të paraqitur rastin e vet, në kushte që nuk e vënë atë në pozitë konsiderueshëm të pabarabartë ndaj palës kundërshtare. Në këtë kuptim, Gjykata konstatoi që Gjykata Supreme duke vendosur mbi kërkesën për përsëritje të procedurës të dorëzuar nga pala A.F, pa e njoftuar dhe pa i dhënë mundësinë palës tjetër, përkatësisht Komunës, për të paraqitur kundërargumentet përkitazi me një kërkesë të tillë, ka dështuar të garantojë zbatimin e parimit të barazisë se armëve dhe parimin e kontradiktoritetit procedural. Gjykata gjithashtu theksoi se përtej garancive kushtetuese, ligjet e aplikueshme gjithashtu qartazi përcaktojnë detyrimin ligjor për dërgimin e kërkesës për përsëritje të procedurës edhe palës së kundërt dhe personave të interesuar, detyrim ky i cili ishte anashkaluar në rrethanat e rastit konkret.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejtat në proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin në rishqyrtim në Gjykatën Supreme.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.
Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/.